BallinaKryesoreStevo Pendarovski kandidat presidencial i partive të pushtetit në Maqedoninë e Veriut

Stevo Pendarovski kandidat presidencial i partive të pushtetit në Maqedoninë e Veriut

spot_img
spot_img

Stevo Pendarovski është kandidat presidencial i partive të pushtetit dhe një koalicioni prej rreth tridhjetë partish të vogla në Maqedoninë e Veriut.

Lidhja Social Demokrate e Kryeministrit Zoran Zaev, Bashkimi Demokratik për Integrim, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare dhe partitë e turqve e të serbëve u dakorduan të premten vonë në mbrëmje që t’i japin mbështetje zotit Pendarovski në garën presidenciale të 21 prillit.

Kryeministri Zaev tha pas takimit me drejues të tridhjetë partive se Stevo Pendarovski është kandidat mbipartiak, ndërsa theksoi shpresat se ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut.

Ai e quajti vendimin si historik, ndërsa tha se zoti Pendarovski do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike e fetare në Maqedoninë e Veriut.

Zoti Pendarvovski aktualisht është bashkërendues kombëtar për NATO-n. Ai ishte kandidat presidencial i LSDM-së edhe në zgjedhjet e vitit 2014 kur humbi garën ndaj zotit Gjorgje Ivanov të VMRO-DPMNE-së, pasi BDI-ja e bojkotoi balotazhin, ndërsa përkrahësit e PDSH-së votuan Gjorgje Ivanovin.

Pendarovski konsiderohet si një politikan i moderuar. Ai ka mbështetjen e madhe të shqiptarëve dhe të partive të pushtetit; kjo sipas një ankete publike të brendshme që ka zhvilluar LSDM-ja gjatë javëve të fundit.

Zoti Pendarovski radhitej në anketat e brendshme publike më mirë se ministrat Oliver Spasovski i Punëve të Brendshme, Radmilla Sheqerinska e Mbrojtjes dhe Nikolla Dimitrov i Punëve të Jashtme. Lidhja Social Demokrate, megjithatë pritet që ta zyrtarizojë kandidaturën e tij në Kongresin e paralajmëruar për të dielën.

Stevo Pendarovski nuk do të ketë një garë të lehtë; Përballë tij do të jenë profesorët universitarë Gordana Siljanovska e VMRO-DPMNE-së dhe Blerim Reka i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Ky i fundit e ka vështirë të kalojë në balotazh, duke u nisur nga përvoja e të gjitha cikleve zgjedhore presidenciale që prej pavarësisë së Maqedonisë e këndej.

Sidoqoftë, janë votat e shqiptarëve të cilat vendosin në balotazh se kush do të jetë president i Maqedonisë së Veriut.

Që zgjedhjet të jenë të vlefshme, në balotazh duhet të dalin 40 përqind të votuesve, në të kundërtën kryetari i Parlamentit, në këtë rast Talat Xhaferi i merr detyrat e presidentit të paktën për gjashtë muaj deri sa të shpallen zgjedhjet e reja, plus dhe tre muaj të tjerë deri në ditën e zgjedhjeve. VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular