Ish-ambasadori Arben Çeku, autori i Barometrit Sociali-Politik të Shqipërisë për vitin 2021, bëri një deklaratë të fortë në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24.
Teksa foli për varfërinë, ish-ambasadori Çeku u shpreh se disa qytete të vogla mezi mbijetojnë, madje sipas tij, fatkeqësisht po rivalizojnë me emrin e ndonjë restoranti. Ai përmendi këtu qytete si Erseka, Gramshi, Bulqiza, ndërsa për Leskovikun tha se ky qytet po shuhet.
“Problemi është se një pjesë e qyteteve të mëdha jetojnë në vështirësi, por ka disa qytete që mezi mbijetojnë, si Erseka, Gramshi, Bulqiza, që fatkeqësisht po rivalizojnë me emrin e ndonjë restoranti. E gjitha lidhet me politikëbërjen dhe deri tani vendimet janë marrë nga lart poshtë dhe nuk është zbritur në terren. Mendoj se partitë nuk duhet të zbresin në terren vetëm për të sharë njëri-tjetrin, por të zbresin tani që nuk ka zgjedhje dhe të shohin si mund të zhvillohet Leskoviku, se ai qytet po shuhet. Kjo politikë duhet të ulet dhe të ndërtojë një agjendë kombëtare të daljes reale nga kjo krizë. Familjet shqiptare kanë kaluar në një ferr financiar. Rritja e çmimeve është një lloj pandemie financiare e çdo familjeje shqiptare”, u shpreh Arben Çeku.
Edhe avokati Adriatik Lapaj e sheh situatën në vend të zymtë, teksa shprehet se edhe shtresa e mesme po largohet nga Shqipëria, pasi sipas tij, “ata ndenjën deri tani me shpresën se vendi do të ndryshonte, por kur panë që ndryshim nuk kishte largohen që të shpëtojnë”.
“Tani po ikën shtresa e mesme që kanë edhe disa kursime. Që ndenjën deri tani me shpresën se mos Shqipëria ndryshonte, por kur panë që ndryshim nuk kishte largohen që të shpëtojnë të ardhmen e fëmijëve me shpresën se mos edhe ata përballen me të njëjtën situatë.
Këta që janë në pushtet nuk kuptojnë që nuk është më vetëm histori parash por të ardhmeje që po ua djegin edhe fëmijëve të tyre. Jo të gjithë fëmijët e tyre do të bëjnë karrierën e prindërve. Gjyqtarët që deri dje ishin si perëndi sot ecin rrugës me kokën ulur. Edhe këta që janë sot duhet të kuptojnë që na duhet pas marrëzisë 30 vjeçare, kjo të marrë fund. Të kuptojnë që më të interesuarit për të ndryshuar realitetin janë ata që kanë bërë lekë”, është shprehur ai.