Deputeti demokrat Flamur Hoxha thotë se elita e Partisë Demokratike duhet të reflektojë lidhur me krizën që po kalon.
Hoxha shtoi se nëse do të ishte kryetar i partisë pas zgjedhjeve të 25 prillit, do të bënte një analizë, pse nuk u morëm deputetët që duhet të merrnim.
Sipas tij, asnjëherë nuk u pa një hap mbas i atyre që kanë dekada në politikë dhe nuk e kuptojnë që nuk japin shpresë të marrin vota te elektorati i djathtë dhe të japin besim.
Ai nënvizoi se është për bashkimin e PD, ballafaqim me elektoratin dhe kush nuk merr rezultatin, duhet të japë dorëheqjen.
Unë e kam për fyerje të më thonë që je pjesë e klanit të Berishës apo Bashës. Jokoherenca politike të bën të jesh butak, pa shtyllë kurrizore. Janë ata deputetë të cilët ndryshojnë qëndrime nga mëngjesi në darkë, ky fenomen ndodh në politikën shqiptare, tek ata që nuk e kanë të qartë finalen që duan të arrijnë, është koha që secili të ballafaqohet me elektoratin.
Janë ata që mbështetën Bashën në korrik dhe në shtator ndërruan mendje. Janë oportunistët që kanë qëllim të përfitojnë dhe ata në minorancë që janë të drejtpërdrejtë. Nga sot e tutje unë nuk do hesht për të qenë i drejtpërdrejtë edhe sikur asnjë ditë të mos jem në politikë edhe sikur t’i kem të gjithë armiq.
Kam pranuar realitete në 30 vite. Do jem brenda PD përballë Sali Berishës dhe çdokujt për të folur përballë. Nëse dikush se ka kuptuar që PD sot është në krizë të jashtëzakonshme, bën hipokrizi.
Si mundet ne të mendojmë që të përçarë të lëmë një pjesë jashtë. Ne nuk mundëm dot të merrnim gjysmën e votave të shqiptarëve. Si mendojmë që të ndarë kemi shumicën.
PD nuk i ka hapur dyert për rininë, PD peng e klaneve të atyre që nuk krijojnë shumicë. Sfida e PD është të largojë ata që e kanë mjelë si lopë.
Lidhur me mundësinë e rikthimit të Lulzim Bashës, Hoxha kërkon që në kushtet aktuale të hapet një garë për më shumë lider të PD, edhe ata që nuk janë deputetë.
Duhet të krijojmë një parti model, me rregulla, meritokraci, anëtarësi të certifikuar dhe jo të bëhen procese zgjedhore ku përcaktojmë fituesin. Do jem kritik kundër atyre që janë të pazëvendësueshëm.
Sa i takon rolit të Partisë Demokratike për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Hoxha tha se në mbledhjen e grupit parlamentar, mendimi i shumicës ka qenë për të qenë pjesë e procesit, për të dhënë mundësinë që të jepnin propozimet, siç e kërkon Kushtetuta.
Kam qenë dhe do jem kundër bojkotit, i takon të ardhmes të gjykojë nëse propozimet e PD, ishin përbashkuese ose jo. Në raundin e tretë ndryshuan rregullat e lojës.
Presidenti do zgjidhet me votë jo morale, jo gjithëpërfshirëse. Mendoj që kemi mbajtur qëndrim dhe pozicion të drejtë.