Lufta tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë është acaruar shumë kohëve të fundit. Javë më parë, në një samit në Tiranë, dy shtetet mike janë përplasur për tregun. Nuk ka mbetur pa u përmendur edhe vendosja e një takse. Sot, Klubi i Prodhuesve dhe Oda Ekonomike e Kosovës kanë diskutuar për problemet dhe barrierat tregtare ndërmjet dy shteteve. Në këtë takim është paralajmëruar edhe mbyllja e kufirit në sezonin e verës.Shqipëria dhe Kosovë kanë mbyllur javë më parë një takim për lehtësimin e tregtisë, por në vend të lehtësimit ka nisur një luftë tregtare mes dy shteteve.Nga ky takim e deri më tani ka pasur paralajmërime të shumta nga Kosova se do të vendoste edhe taksë. Kurse sot, nga Kosova drejt Shqipërisë ka shkuar edhe një kërcënim i ri.Drejtori ekzekutiv i “Klubit të Prodhuesve”, Astrit Panxha, ka thënë se Shqipëria është e dyta pas Serbisë për barriera tregtare ndaj Kosovës, si dhe paralajmëroi masa ku në shenjë proteste do të mbyllet kufiri për 1 ditë në sezonin e verës.“Ne kemi diskutuar në Tiranë për raportin e KE-së ku pas Serbisë, Shqipëria del e 2 për barriera ndaj Kosovës. Këto barriera duhet të hiqen, në të kundërtën në shenjë proteste do të vendosim mauna në kohën e sezonit, do të mbyllim kufirin për 1 ditë”.Ai ka treguar po ashtu se tregu me Shqipërinë është i njëanshëm.“Për neve, tregu i Shqipërisë si prodhues është tregu më interesant, por është treg edhe për shkak të lidhjeve gjeografike e etnike. Për fat të keq, kjo nuk po ndodh tregtia me Shqipërinë, po jetë e njëanshme. Nëse i shohim statistikat për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Shqipërisë janë rritur në Kosovë për 20 milionë, kurse ato të Kosovës vetëm për 1 milion”.Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Ruqiki, ka renditur një varg problemesh tregtare me Shqipërinë dhe barrierat e krijuara.“Kemi shumë çështje të pazgjidhura, probleme që janë të mbledhura që një dekadë dhe nuk ka vullnet politik për t’i zgjidhur. Te prokurimet publike, eksporti, qoftë çfarëdo lloj partneriteti që është tentuar të ndërtohet nga kompanitë tona është penguar nga autoritete në Shqipëri. Kompanitë nuk kanë arrit deri tash të kenë një pozicion të duhur në tregun e Shqipërisë, për kompanitë tona është tregu kryesor apo do të duhej të ishe”, ka thënë RukiqiAi rekomandoi që marrëveshjet e arritura midis Kosovës dhe Shqipërisë të respektohen.“Në çfarëdo rasti ajo që ne po rekomandojmë jashtë gjitha marrëveshjeve të nënshkruara të respektohen. Ne kemi ardhur t’i ngrisim këto çështje dhe të tregojmë se ka me pasë veprime për me mbrojt prodhuesin për me eksportu, në këtë rast me Shqipërinë”.Për këtë çështje ditë më parë është deklaruar vet shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.Haradinaj, në një konferencë për media, tha se shpreson që të zgjidhen problemet e tregtisë që Kosova ka me Shqipërinë, por nuk ka pohuar e as mohuar nëse do t’i vendoset taksë edhe Shqipërisë.Haradinaj, i pyetur lidhur me mundësinë e vendosjes së barrierave tarifore ndaj Shqipërisë, ka thënë se “shpresoj që të zgjidhen këto probleme.”“Me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, por kemi disa mosmarrëveshje që lidhen me tregtinë, për tregun dhe shpresoj që do t’i zgjedhim”.Po ashtu edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se bizneset kosovare po përballen me shumë barriera gjatë eksportit të tyre në vendet e CEFTA-s, për arsye politike.Sipas tij, barrierat e bizneseve kosovare rrallëherë janë raportuar, por janë evidente dhe pikërisht këto barriera janë arsyet themelore për bilancin tregtar që ka Kosova aktualisht.Kreu i MTI-së u ka bërë thirrje bizneseve nga Shqipëria që t’i raportojnë barrierat me të cilat përballen, pasi sipas tij qëndrim i Kosovës është të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura dhe të hapen tregjet për produkt shqiptare. Shala ka thënë se kërkon të njëjtin trajtim edhe për prodhuesi kosovar që eksportojnë në Shqipëri. /Monitor.al/.
Barrierat tregtare, paralajmërohet mbyllja e kufirit Kosovë-Shqipëri
RELATED ARTICLES