Nga Georgi Gotev.
Komisioni Evropian bëri të ditur të hënën, më 3 qershor, se do të vlerësojë një kërkesë nga Holanda për pezullimin e lëvizjes pa viza për shqiptarët, duke shtuar se një vendim i tillë nuk duhet të merret lehtë.
Shqipërisë iu mundësua udhëtimi pa viza në zonën Schengen, pa kufij, më 2010. Megjithatë, vendi rrezikon ta humbasë këtë avantazh të fituar me shumë mund.
Vendimi vjen një muaj pasi një grup prej katër deputetësh holandezë, që nisën mocionin për anulimin e përkohshëm të lëvizjes pa viza të shqiptarëve në zonën Schengen, u mbështet nga parlamenti holandez.
Mocioni u paraqit në prill nga deputetët, si pasojë e shqiptarëve që qëndronin ilegalisht në Holandë. Deputeti mocionist Van Toorenburg tha në seancë se në Holandë ka gjashtë herë më tepër shqiptarë nga sa janë regjistruar.
Në një letër të nënshkruar nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Holandës në BE, Robert de Groot, qeveria holandeze i kërkoi Komisionit të BE të ndërmerrte një hap të tillë, në konsultë me vende të tjera anëtare.
Komisioni konfirmoi se ishte njoftuar, por shtoi se kërkesa do të shqyrtohej imtësisht dhe se vendimi nuk do të merrej lehtë. “Komisioni tani do ta vlerësojë njoftimin sipas procedurës dhe bazuar në informacionin shoqërues, duke marrë në konsideratë rrethanat specifike”, tha zëdhënësja e Komisionit, Natasha Bertaud. Ajo shpjegoi se hapi tjetër do të ishte informimi i Këshillit dhe i Parlamentit Evropian nga ana e Komisionit.
“Sigurisht, vendimet për pezullimin e lëvizjes pa viza nuk mund të merren lehtë dhe çdo hap që çon drejt aktivizimit të mekanizmit do të jetë subjekt vlerësimi dhe analize shumë të kujdesshme”, tha ajo, duke shtuar se kryesia e BE do t’ia paraqiste ato Këshillit dhe Parlamentit.
Për afatet kohore, ajo tha se Komisioni duhet ta bëjë vlerësimin një muaj pas marrjes së njoftimit, dhe se edhe akti i implementimit duhet të aprovohet nga Këshilli.
E pyetur nga EURACTIV nëse ka pasur precedentë me vende të tjera, Bertaud tha se, me sa dinte ajo, kjo ishte hera e parë që Komisioni merrte një njoftim të këtij lloji.
Javën e kaluar, Komisioni u rekomandoi vendeve anëtare të hapnin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Mocioni holandez është tregues se ky do të jetë vendim i vështirë, të paktën për sa i përket Shqipërisë.