BallinaIntervistaBasha jep mesazhin e Berlinit: Pa zgjidhjen e krizës, s'ka negociata. Vendit...

Basha jep mesazhin e Berlinit: Pa zgjidhjen e krizës, s’ka negociata. Vendit i duhet ndryshimi i thellë politik

spot_img
spot_img

Basha: Jam në Berlin si partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane.

INTERVISTA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, DHËNË GAZETARES SË DEUTSCHE WELLE, ANILA SHUKE.

DW: Zoti Basha, ju jeni këtu në një delegacion dy ditor me një sërë takimesh me persona të rëndësishëm. Dje patët një takim me këshilltarin e kancelares Merkel për çeshtjet e sigurisë. Cili ishte mesazhi që ju dha ai për zgjidhjen e krizës aktuale në Shqipëri?

Lulzim Basha: Dua t’ju them, në rradhë të parë, që takimi këtu është një dialog i nivelit të lartë, që mbahet me përfaqësuesit më të lartë politikë të Gjermanisë, qeverisë gjermane, të industrisë gjermane dhe të biznesit gjerman mbi çeshtjen e integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Europë dhe çeshtjet e bashkëpunimit ekonomik. Pra, bëhet fjalë për një dialog të nivelit të lartë që shikon, jo vetëm tek e sotmja, por tek e nesërmja e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, në veçanti e marrëdhënieve politike dhe ekonomike, si dhe të integrimit europian të vendit.

DW: Cili qe mesazhi që morët tek Kancelaria, tek zyra e Kancelares Merkel?

Lulzim Basha: E gjithë kjo konferencë po zhvillohet sipas asaj që njihet si rregulli “Chatham House rule”. Pra, unë kam zhvilluar biseda jashtëzakonisht të rëndësishme, nuk jam i lirë të atribuoj përmbajtjen e këtyre bisedave.

Por konkluzioni që mund të ndaj me ju dhe, përmes jush, me gjithë ndjekësit e Deutsche Welle në Shqipëri dhe anembanë hapësirës shqiptare, është ky: Gjermania është thellësisht e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht.

Në momentin aktual, në Gjermani, sikundër dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të Bashkimit Europian, predominon mendimi që nuk do të ketë një vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara, siç është lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, dënimi i politikanëve të kapur dhe të përgjuar në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat dhe për të fallsifikuar rezultatin elektoral të vitit 2017-të. Nga ana tjetër, është shqetësimi që, nëqoftëse nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, e cila, pastaj, do ta veçonte dhe nga Maqedonia e Veriut. Ajo do të shkonte përpara në këtë proces, ndërkohë që Shqipëria do të mbetej në vendnumëro apo akoma më keq, do të izolohej.

DW: Shqetësim kanë gjermanët edhe për shkak të largimit tuaj nga institucionet. Si do t’i zgjidhni ju këto probleme, me përmbysjen e qeverisë?

Lulzim Basha: Është një problem i diskutuar që në viziten time në prill. Padyshim që, hapi i marrë nga opozita, është një hap i fortë, i paprecedent, por, nga ana tjetër, ka shërbyer për të ilustruar krizën e paprecedentë ku ndodhet vendi – pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një prokuror të përkohshëm të emëruar në mënyrë antikushtetuese, pa asnjë hetim domethënës në çêshtjet e mëdha, në luftën ndaj korrupsionit dhe në luftën ndaj krimit të organizuar. Pra stanjacioni total, kriza e thellë politike dhe kushtetuese janë arsyeja që kanë çuar në veprimet e opozitës. Ajo që po diskutojmë sot është rruga e daljes nga kjo krizë. Në këtë kuadër, qendrimi ynë është i qartë. Kjo krizë mund të zgjidhet vetëm duke aplikuar standardet dhe precedentët evropianë. Në cilin vend të Evropës nuk do të kishte dhënë dorëheqjen një kryeministër, i cili është kapur bashkë me kupolën e tij duke asgjësuar procesin zgjedhor, që është kapur në afera të tmerrshme korruptive, ndërkohë që drejtësia duket se është e paralizuar dhe nuk është në gjendje t’u japë përgjigje këtyre skandaleve?!

DW: Por ka shumë përfaqësues të CDU/CSU-së, edhe deputetë këtu, që e shohin pak më ndryshe nga ju këtë çështje dhe thonë se nuk është vertetuar akoma që zoti Rama është kapur në këto, qoftë edhe në përgjime e në dosjet në fjalë, që duhen ndjekur nga hetuesia, pastaj të flasim për një faj apo përgjegjës.

Lulzim Basha: Shiko, Gjermania është një vend i madh dhe këtu ka lindur një koncept politik “verstehers”, ka Putin-verstehers, ka edhe Rama-verstehers, por qendrimi zyrtar dhe, me siguri, këtë ju ua shpjegoni teleshikuesve tuaj se çdo të thotë verstehers. Do të thotë dikush që mundohet të justifikojë veprime apo sjellje të pajustifikueshme për normat dhe standardet evropiane. Putin-verstehers janë ata politikanë në Gjermani, të cilët mundohen të justifikojnë sjelljen e Putinit, Rama-verstehers janë ata politikanë në Gjermani që mundohen të justifikojnë sjelljen e Edi Ramës. Qendrimi zyrtar është i qartë dhe i prerë. Natyrisht ne e kemi dëgjuar thirrjen e tyre për dialog. Kam patur mundësinë të shpreh angazhimin total në emër të opozitës dhe, natyrisht, të Partisë Demokratike për zgjidhjen e kësaj krize. Kërkesa e vetme, e cila ka gjetur mirëkuptim të plotë është përmbajtja e standardeve evropiane. Standardet evropiane, në këtë rast, e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize.

DW: Pra ju jeni të gatshëm të hyni në dialog me Ramën?

Lulzim Basha: Këtë doja t’u thoja. Pra, standardet evropiane dhe precedentët evropianë e parashtrojnë fare qartë rrugën e zgjidhjes së kësaj krize. Ajo kalon përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe garantimit të standardeve zgjedhore si hap i parë, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita ka një platformë që është pjesë e një dialogu kombëtar për një reformë të thellë kushtetuese, që do të garantojë balancimin dhe ndarjen e pushteteve dhe që kurrë më Shqipëria të mos përfundojë në këtë situatë, ku një grup njerëzish, një grup politikanësh, një grup kriminelësh, një grup oligarkësh kanë marrë peng gjithë vendin.

Shiko çfarë ka ndodhur, janë kapur me skandalin e Unazës së Re, të cilin e ka pasqyruar Deutsche Welle, siç e ka pasqyruar edhe Zëri i Amerikës. 40 milionë euro për 2 kilometër, 30 milionë euro një kompani fantazëm. Asnjë nuk shkon para drejtësisë. Pse? Sepse drejtësia është kapur.

Dhe çfarë ndodh? Kalojmë nga ky skandal në një skandal tjetër, 300 milionë euro tek rruga Milot- Balldren. Po të marrim Milot-Balldren dhe Rrugën e Arbrit do të shikojmë se dy kompanive, që i takojnë nje nipi dhe një daje, po i jepet 5% e PBB-së, mbi 500 milionë euro.

Pra mesazhi është i qartë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Ky është rekordi me i lartë, më i zi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar.

Ky është mesazhi qe vjen nga Berlini, meqë më pyetët për mesazhin e Berlinit. Në këtë situatë nuk ka shanse që të hapen negociatat për Shqipërinë. Kërkohet ndryshim politik.

Partia Demokratike dhe opozita janë gati të luajnë rolin e tyre për këtë ndryshim politik, nga i cili të përfitojnë të gjithë shqiptarët. Të hapet rruga europiane e Shqipërisë, që është bllokuar dhe shkaktarët e bllokimit janë një dhe vetëm një – është pushteti i ardhur në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe që po mbahet me ndihmën e krimit të organizuar dhe nje grushti oligarkësh në kosto të zhvillimit të Shqipërisë, të punësimit të shqiptarëve, të varfërimit te shqiptarëve, të bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë.

DW: Ju mund t’i bëni të gjitha këto biseda edhe me Ramën. Ai ju ka bërë 7 letra deri tani.

Lulzim Basha: Kjo nuk është çështje personale midis meje dhe zotit Rama. Këtu bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit europian.

Prandaj, ndodhem sot unë këtu dhe jo zoti Rama. Prandaj ndodhem unë sot këtu si interlokutori i autoriteteve gjermane dhe i kapitalit te industrisë gjermane, sepse zoti Rama ka humbur shansin të tregojë seriozitet me përkushtimin ndaj standardit europian. Si mund të pritet nje zgjidhje përmes letrave, ndërkohë që nuk trajton problemet kryesore të krizës?

Problemi kryesor i krizës është një Parlament i dalë nga vota e vjedhur me krimin e organizuar. Problemi kryesor i krizës është rënia e të gjithë institucioneve të drejtësisë, kapja e te gjithë pushteteve në një dorë. Problemi kryesor i krizës është mungesa totale, siç vihet re edhe këtu, e investimeve perendimore apo i investimeve gjermane. Është rënia e ekonomisë ne duart e krimit të organizuar. Sot në Shqipëri aktiviteti kryesor ekonomik, është pastrimi i parave te pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e këtyre problemeve. Ndaj, parashtrimi i opozitës, zgjidhja politike që ne kemi parashtruar është rruga e vetme për të shmangur konfliktin civil, për të shmangur çmendurinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve fallco, moniste, prapë të diktuar nga krimi, prapë me kandidatë kriminelë dhe mbylljes përfundimtare të derës së Europës.

Ndaj, mund t’ju them nga Berlini, ju dhe teleshikuesve tuaj, se jam me shumë shpresë nga këto takime, tashmë në gjysmën e aktivitetit tim, – do të vazhdoj edhe gjatë pjesës tjetër të ditës, në takime të nivelit të lartë, – se me ndihmën e partnerëve gjermanë, me ndihmën e partnerëve europianë, ne do të mund ta tejkalojmë këtë krizë, do ta hapim rrugën e Europës. Por kjo kalon përmes marrjes së përgjegjësive politike nga shkaktarët e kësaj krizës, përmes largimit të Edi Ramës, një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

DW: Këto janë çështje morale, që duhet ta zgjidhë secili me moralin e tij. Një dorëheqje është çështje morali…

Lulzim Basha: Në rastin konkret është çështje stabiliteti politik. Është çështje e së ardhmes europiane të vendit dhe nuk është vetem çështje morale.

DW: Megjithatë edhe ju jeni përgjegjës për stabilitetin politik të vendit, sepse ju po bëni thirrje për kryengritje. Edhe ish kryeministri Sali Berisha bën thirrje për kryengritje.

Lulzim Basha: Të mos dalim nga tema. Secili ka mënyrat e veta për t’i folur publikut dhe unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt. Unë flas ne emrin tim, në emër të PD, në emër të opozites së bashkuar, sepse jam kryetari i PD dhe opozitës së bashkuar.

Me përgjegjësinë totale po ju them zgjidhja politike që opozita ka parashtruar, zgjidhja politike që kalon përmes standardeve europiane, është rruga e vetme, rruga e sigurtë për të shmangur konfliktin total civil, për të cilin nuk është e interesuar as opozita, as Partia Demokratike, as shqiptarët.

Kushdo që është i interesuar në krahun tjetër, kushdo që bën llogaritë se duke nxitur konfliktin civil, mund t’u shpëtojë përgjegjësive politike dhe ligjore për aferat korruptive dhe kriminale, e ka shumë gabim.

DW: Zoti Basha, Ministri i Brendshëm ju ka akuzuar juve që jeni përgjegjës për vrasjet e Janarit 2011…

Lulzim Basha: Nuk merrem me fosile komuniste, të promovuara për shkak të servilizmit dhe për shkak të shkeljes flagrante të ligjit e të Kushtetutës. Të gjithë këta njerëz do të përgjigjen para drejtësisë, sepse kanë rikthyer të burgosurit politik në Shqipëri, duke nisur me Ministrin e Brendshëm, duke vazhduar me Kryeministrin.

Çështja nuk qëndron këtu. Asnjë diversion, asnjë sulm i tyre nuk mund të heqë vëmendjen nga nevoja akute për të zgjidhur krizën politike në vend dhe për të shmangur konfliktin civil. Zgjedhje moniste, zgjedhje me krimin, pushtet të marrë me dhunë dhe të mbajtur me dhunë, nuk do të ketë më.

Ndaj, edhe njëherë dua t’ju them se, këtu nga Berlini, bashkë me preokupimin e jashtëzakonshëm për krizën politike në vend, sjell edhe një mesazh shprese për të gjithë shqiptarët që, me zhbllokimin e rrugës që e ka bllokuar sot Edi Rama dhe të krizës politike që ka imponuar ai, Shqipëria ka me të vërtetë mundësi të jashtëzakonshme. Këtu kemi partnerë dhe miq të rëndësishëm politikë dhe ekonomikë, që mund të ndihmojnë në nxjerrjen e vendit nga kriza politike dhe nga kriza ekonomike, duke sjellë investime gjermane në Shqipëri, duke hapur vende pune dhe duke bërë transferimin e përvojës së tyre të suksesshme, teknologjisë dhe, në veçanti, për rininë, përvojës së tyre, atë që quhet arsimimin dual, për të cilin kemi folur.

DW: Ka shumë zgjidhje, por që të mos e kthejmë në miting të PD…

Lulzim Basha: Jo, më vjen keq. Këto janë përshtypjet e mia pozitive nga takimet me bosët e industrisë gjermane, te cilët janë të gatshëm dhe shpresëplotë…

DW: Dakord, por për këtë ju duhet pushteti dhe ju nuk merrni pjesë akoma as në zgjedhje.

Lulzim Basha: Nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ka një proces fals kriminal, ku, njerezit që duhet të ishin në burg për trafik droge, për trafik vajzash dhe grash apo për trafik votash, nga Pjerin Ndreu tek Valbona Sako, në vend që të shkojnë para drejtësisë, pormovohen. Kjo është faza e fundit e kalbëzimit të një regjimi kriminal, që ka marrë peng Shqipërinë. Ndaj, zgjidhja është dhënia fund e këtij regjimi dhe kthimi i së drejtës për të zgjedhur qeverinë me votë tek qytetarët shqiptarë. Kjo betejë bëhet për qytetarët shqiptarë, kjo betejë bëhet për vlerat europiane dhe mënyrat europiane të daljes nga kjo krizë.

DW: Megjithatë pajtoheni dhe ju dhe nuk jam unë e vetmja që mendoj se, tek e fundit, edhe ju, duke qenë pjesëmarrës i një qeverie të mëparshme, keni edhe ju përgjegjësinë tuaj për gjendjen e vendit apo jo? Ndoshta është një zgjidhje që, përveç zotit Rama, ndoshta dhe ju, me të tjerë persona që, nuk po them janë konsumuar, por e kanë dëshmuar aftësinë e tyre qeverisëse, të largohen për t’i lënë vend brezit të ri?

Lulzim Basha: Unë jam brezi i ri. Do apo nuk do zoti Rama apo lakejtë e tij, unë jam brezi i ri. Unë kam ardhur si pjesë e brezit të ri dhe përfaqësoj vlerat europiane të besimit tek demokracia, tek zgjedhjet e lira e të ndershme. Jam njeri që kurrë nuk kam bërë kompromis me krimin, edhe kur kjo i ka sjellë faturë politike partisë sime. Në këtë kuptim, jam i bindur se përfaqësoj atë qe i duhet Shqipërisë: një politikë të ndarë nga krimi dhe vullnet politik për të mos kompromentuar interesin e shqiptarëve për shkak të karriges.

Pra, qartësisht, nuk jemi njësoj dhe të barabartë. Kemi një qeveri që qeveris prej 6 vjet e gjysëm, kemi një opozitë dhe një kryetar opozite që ka luftuar kundër krimit të organizuar, kundër kanabizimit, kundër aferave të tmerrshme korruptive, kur askush nuk e hapte gojën.

Prandaj ndodhem sot këtu, si përfaqësues i një gjenerate të re të shqiptarëve, si një njeri që ka privilegjin dhe përgjegjësinë të drejtojë një parti politike dhe një opozitë, të bashkuar rreth vlerave, programit dhe vizionit europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Kjo është arsyeja pse ndodhem këtu, si një partner i besueshëm i Gjermanisë, sot si kryetar i opozitës dhe nesër, me besimin e qytetarëve shqiptarë, në drejtimin e një qeverie europiane, me zgjedhje të lira e të ndershme.

DW: Kur do të bëhen ato?

Lulzim Basha: Kjo është beteja. Nëse ju e quani kryengritje, apo revolucion, apo diçka tjetër. Kjo është një betejë popullore, pikërisht, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, ku, në fund, produktin ta diktojnë qytetarët shqiptarë me votë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular