Nga Fatmir Guda
Deputetet e opozites paperjashtim nga A-ja tek Zh-ja, me ose pa dashje po dëshmojnë papjekurisht në mënyrën më konsistente të mundshme një paaftësi dhe defiçencë totale me qasjen që realisht duhej të kishin ndaj një prej reformave më jetike në vend si ajo administrative territoriale. Ndërsa komisioni parlamentar përkatës po i drejtohet limiteve të fundit të afateve kohore, ende vijon të mungojë “tymi i bardhë” sa i përket bashkpunimit të gjerë politik ndëropozitar dhe jo vetëm, me qëllim që demokracia lokale sa më parë t’i kthehet qytetarit.
Me sa duket adrenalina që u prodhon sherri shterpë dhe fataliteti i bashkjetesës me statuskuonë ku gjenden prevalon mbi interesin e shqiptarëve që e mezipresin korrigjimin e reformës territoriale dhe ribërjen e hartës së bashkive.
Ritmi i breshkës që karakterizon punimet e këtij komisioni parlamentar dhe çdo faktor politik brënda trupës opozitare po dëshmohet si në hezitimin e dukshëm dhe javashllëkun e çuditshëm për t’i qëndruar ende larg marrjes së mendimit të atyre që kjo reformë u lipset më së shumti, qytetarëve apo komunitete në çdo cep të territorit, ashtu edhe në mosthirrjen e tryezave bashkëbiseduese me grupe ekspertësh për të diskutuar mbi problematikat e hasura që lidhen me nevojën decentralizuese dhe autonomi vendore të pushtetit vendor.
Dëmi evident edhe për 8 vjet që reforma administrative e njëanshme i shkaktoi komuniteteve të penalizuara në territore të ndryshme të vendit është mjaftueshëm boll si afat kohor që deputetët e kuvendit, domosdoshmërisht ata të opozitës të konvergojnë axhendën duke vlerësuar seriozisht emergjencën dhe reagojnë me përgjegjshmëri për të ofruar një reforme konsensuale që do t’i rezistonte kohës.
Shumëkush syresh ndër deputetë mund të thotë “ç’më duhet mua kjo reformë”, ndërkohë që çdo reformë dhe nismë tjetër ligjore institucionale në këtë vend ka ikur për fiq.
Por mjaft të sillet nëpërmend që ky komision është ngritur nën presionin dhe me bekimin e partnerëve stategjikë SHBA dhe kundër vullnetit të Edi Ramës, për të kuptuar se projekt-raporti përfundimtar, i cili duhet të ketë në thelb të vet mendimin e grupeve te interesit që janë qytetarët dhe asistencën e eksperteve të pushtetit vendor, duhet të gjejë dakortësinë e të paktën 63 deputetëve të opozitës.
Dhe së fundmi mua si një ish përfaqësues me njohuri dhe eksperiencë modeste mbi pushtetin vendor, por para së gjithash si një prej qytetarëve të zakonshëm të këtij vëndi, bashkia e të cilit u zhduk pa nam e nishan me një të rënë lapsi, në mënyrë arbitrare 8 vite më parë nga reforma e njëanshme e kartonave të mazhoracës së atëhershme përfaqësuar nga po i njëjti kryeministër që na qeveris ende sot, një thirrje më del për ty deputet, si përfaqsuesi më i naltë i institucionit të opozitës në vend :
“Shumë mirë që më fton në protestë në të nxehtin përvëlak të Korrikut mua popullin dhe bashkë me mua proteston për të drejtat e nëpërkëmbura prej qeverisë.
Mrrekullia vetë që edhe në foltore të kuvendit ngre herë pas here zërin denoncues për efekt të një demokracie sa më funksionale, të paktën në dukje.
Të tëra mirë mor tungjatjeta, por ti i zgjedhuri deputet që përfaqëson popullin opozitar sidomos dhe që me taksat tona paguhesh për marshallah s’ke asnjë detyrim siç ta kërkon detyra për tu ndenjur axhendave parlamentare, përfshi dhe mundësinë e të marrit pjesë në proçesin e rishikimit të hartës së bashkive!?
Përfshihu në këtë proçes! Qytetarë në territore të shumta të vendit mezi presin tu vini tu vilni mendimin dhe tua përfaqësoni vullnetin në projekt-draftin përfundimtar.
Tundu i nderuar zotni deputet!
Mos thuaj “ç’më duhet mua me reformën territoriale”.
Çarmatoseni kryeministrin nga argumenti “nuk di kush është opozita” dhe nxirreni lakuriq atë përpara përgjegjësisë që ka prej vendeve partnere për të ofruar vullnet politik për ribërjen e hartës së bashkive”
Pastaj nëse seriozisht nuk ju leverdis edhe që prej kësaj harte territori tërësisht politike pushteti vendor, për rrjedhojë ai qëndror të vijohet ende t’i dhurrohet në tavolinë kryeministrit aktual, të lëmë mënjanë sikur për një moment gër-mërin atipik ku gjendemi ngërthyer dhe bëni ju atë më të thjeshtën që kini në dorë për qytetarin, zgjedhësin tuaj, pjesmerruni me vullnet e vetëdije në një proçes konsensual, në të cilin të gjejë përfaqësim më së pari interesi i komuniteteve për t’ju afruar qeverisjes vendore bazuar thelbësisht parimit të subsidiaritetit.