I dërguari i posaçëm i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach bëri të ditur të enjten se qeveria britanike mori masa kundër disa individëve shqiptarë “me lidhje të publikuara dhe të dokumentuara mirë me kriminalitetin dhe korrupsionin”, duke mos paraqitur detaje të mëtejshme.
“Kjo është vala e parë e një sërë veprimesh që synojnë të inkurajojnë llogaridhënien dhe t’i japin fund mosndëshkimit. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh në dispozicion për të frenuar individët me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin”, tha ai, duke shtuar se detajet e këtyre veprimeve mund të mos bëhen gjithmonë publike.
Zoti Peach e bëri njoftimin në një artikull botuar në faqen e qeverisë britanike, ku shprehu angazhimin e Britanisë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në rajon dhe për të ndëshkuar përmes mekanizmave të ndryshëm ata që nxisin apo mbështesin krimin dhe korrupsionin.
“Së bashku do të sigurohemi që askush të mos jetë mbi ligjin”, thotë ai.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, shprehu mbështetjen për masat e fundit të qeverisë britanike, duke shkruar në Tëitter
“Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për t’u pasuruar dhe shkelin shtetin ligjor, me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm dhe kanë sabotuar demokracinë, duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, shprehet ajo.
Megjithëse vlerësoi disa nga masat e marra nga Shqipëria si pozitive, përfshirë reformën në drejtësi dhe ngritjen e Agjencisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, zoti Peach tha se ka ende persona “që veprojnë sikur janë të paprekshëm, sikur sundimi i ligjit nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë”.
Një nga problemet që ai vë në dukje në Shqipëri është “mbështetja që disa figura publike marrin nga kriminelët në këmbim të korrupsionit të tyre”, për të cilin tha se mbyt zërin e popullit shqiptar. Ai e vuri theksin veçanërisht tek ndikimi i këtyre lidhjeve tek zgjedhjet.
“Siç tregon raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, blerja e votave dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdojnë të jenë një problem madhor në politikën shqiptare. Për sa kohë që politikanët bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe frikësuar votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë. Tani nevojiten ndryshime të mëtejshme dhe reforma zgjedhore”, tha ai.
Në artikull, zoti Peach i cili sapo është kthyer nga Tirana, Shkupi dhe Podgorica, tha se në të gjitha vendet ka dëgjuar të njëjtin mesazh:
“Të rinjtë po largohen, të detyruar nga mungesa e mundësive, duke kuptuar se nuk mund të kenë sukses nëse nuk kanë lidhje politike dhe të zhgënjyer nga korrupsioni i rrënjosur”, thotë ai, duke shtuar se ata kërkojnë ndihmë për të ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe për t’u kërkuar llogari udhëheqësve të tyre.
I dërguari britanik për Ballkanin tha se vendi i tij mbështet ata që përpiqen për reforma në Shqipëri dhe rajon:
“Ne do t’ju mbështesim në reformat tuaja në drejtësi, të cilat kanë ndihmuar në eliminimin e zyrtarëve të korruptuar dhe kanë çuar në ndjekjen penale të figurave të fuqishme. Ne do t’ju mbështesim në reformimin e zgjedhjeve dhe në të gjitha përpjekjet për transparencë, llogaridhënie dhe demokraci. Ne do të ndihmojmë në rritjen e angazhimit qytetar për të kërkuar llogari nga qeveria”, shkruan ai.
Zoti Peach përshëndeti gjithashtu gazetarët investigativë që kanë ekspozuar korrupsionin dhe lidhjet midis politikës, biznesit dhe krimit – shpesh përballë dhunës dhe frikësimit nga kriminelët.
“Ata duhet të vazhdojnë ta bëjnë këtë me mbrojtjen e plotë të qeverive dhe agjencive të zbatimit të ligjit dhe me mbështetjen e atyre që e vlerësojnë lirinë”, tha ai. /VOA