Bujar Leskaj
Deputetët të bëhen subjekt i Ligjit të Dosjeve
Dje në Kuvend, Autoriteti i Dosjeve raportoi për punën e bërë gjatë vitit 2021. Autoriteti duhet vlerësuar në përpjekjet e tij, të cilat janë të paplota, jo për faj të Autoritetit, por për mangësitë e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Këtij ligji i mungon karakteri i lustracionit, pasi është mbështetur në modelin gjerman(i cili ka karakter vullnetar, për traditën dhe moralin e lartë të popullit gjerman), dhe jo në atë bullgar apo rumun, më të ngjashëm me ne.
Çuditërisht, në Nenin 30, ligji ka harruar që pastërtisë së figurës duhet t’i nënshtrohen edhe deputetët e Kuvendit. Nuk e parashikon. Nga raportimi i Autoritetit mësuam se vetëm 10 deputetë kishin kërkuar vullnetarisht pastërtinë e figurës, përpara fillimit të legjislacionit në Kuvend. Në seancë deklarova se kjo nuk na nderon. Nuk na nderon karshi opinionit publik. Ne duhet të japim shembullin tonë, që të gjithë deputetët që në vitin 1990 ishim më shumë se 16 vjeç, të aplikojmë tek ky Autoritet për pastërtinë e figurës, pavarësisht se ende nuk e kemi detyrim ligjor.
I ftova të gjithë ata që dëshirojnë të më bashkohen gjatë muajit gusht, që të përmirësojmë ligjin me një amendim koherent, duke i dhënë atij karakterin e lustracionit, që i mungon që në gjenezë.
V.O.: Personalisht, që më datën 7 shtator 2021, i kam kërkuar Autoritetit zbatimin e lustracionit për rastin tim, dhe me shkresën Nr. 476 datë 22 tetor 2021, Autoriteti më ka kthyer përgjigje për pastërtinë e figurës.