Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, në Uashington D.C. ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, por ekzistencial për të arritur lirinë
“Partneriteti me SHBA-në nuk është vetëm i domosdoshëm, por ka qenë fakt gjatë gjithë historisë sonë, ka qenë ekzistencial për të arritur lirinë tonë, vazhdoi të jetë ekzistencial, për arritjen e pavarësinë dhe mbetet i tillë edhe sot e kësaj dite derisa jemi shndërruar në demokraci”, është shprehur Presidentja Osmani.
“Kosova është demokraci në zhvillim dhe kjo tregon se çka mund të arrijë bota demokratike e udhëhequr nga SHBA-ja, kur përballet me tiranitë dhe sigurohet që liria mbizotëron mbi tiranitë”.
Osmani gjatë takimit me Blinken, vuri në dukje se është bërë përpjekje të destabilizohet Ballkani Perëndimor.
“Siç e dini, është bërë përpjekje të destabilizohet Ballkani Perëndimor nga Rusia, ne vazhdojmë të mbesim aleat me SHBA-të dhe BE-në për t’u siguruar që këto gjëra të ndalohen në rajon, prandaj jemi të kënaqur të bashkëpunojmë me ju për të punuar në front për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta. I mirëpresim së bashku me kryeministrin për të diskutuar reformat, veçanërisht në fushën e ligjit të cilat po i adresojmë në vendin tonë”, ka theksuar Osmani.
Ajo tha se Kosova është realitet i pakthyeshëm, derisa shtoi se do të punojnë me SHBA-të dhe shtetet tjera demokratike, që ky realitet të mund të forcohet.
“Njëkohësisht mbështetjen që e kemi pranuar nga SHBA-ja në fushën e mbrojtjes, pasi që është çliruar Kosova, është duke shkuar krahë për krahë me ushtarët amerikanë në misione paqeruajtëse, Kosova është realitet i pakthyeshëm, do të punojmë së bashku krahë për krahë me SHBA-të dhe shtetet tjera demokratike në botë, për t’u siguruar që ky realitet të forcohet më tutje, për tu siguruar që pozita ndërkombëtare e Kosovës do të forcohet dhe ta fitojmë vendin tonë të merituar në komunitetin euroatlantik”.