Nga Bujar Leskaj
Në intervalin kohor të më shumë se një viti, sistemet tona elektronike dhe dixhitale publike janë dekonspiruar dhe sulmuar disa herë. Një vit i mbrapshtë i papërgjegjësisë ekstreme të sektit Rama që drejton vendin. Një vit që dëshmoi se Lideri Global e ka lënë shtetin dhe të dhënat personale të qytetarëve tërësisht të pambrojtura, lakuriq, në duar të patronazhistëve dhe të sulmeve të atyre që nga jashtë apo brenda, duan të na bëjnë keq.
Të dhënat sensitive të qytetarëve janë ndër asetet më të vlefshme dhe delikate në duar të një shteti, i cili kërkon që të jetë 100 përqind dixhital në shërbimet që jep. Janë pasuria më e madhe që qytetarët i kanë besuar shtetit.
Dhe çfarë ka ofruar ky “shtet dixhital” i Ramës për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve që i ka në përdorim(jo në pronësi!)?
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit(AKSHI), institucioni që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, ka:
1. Vendosur në duart e patronazhistëve të Partisë Socialiste të dhëna personale dhe shumë sensitive të të gjithë qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote, në periudhën tetor 2020-prill 2021
2. Ka lejuar, pa(me) dijeni, rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve të Tiranës në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, për “ushtrinë” e 9 mijë patronazhistëve të Tiranës
3. Ka lejuar skandalin e rrjedhjes dhe publikimit të të dhënave të pagave të mbi 630 mijë qytetarëve më 21 dhjetor 2021. Baza e publikuar e të dhënave përmbante numrat personalë, emrat, subjektet punëdhënëse si dhe pagën mujore të të gjithë personave të regjistruar si të punësuar në sektorin publik dhe atë privat në Shqipëri. Një skandal që, për dimensionet e tij, nuk ka të ngjashëm në Evropë dhe në botë.
4. Ka lejuar skandalin e rrjedhjes dhe publikimit të të dhënave të automjeteve në pronësi të mbi 530 mijë qytetarëve më 23 dhjetor 2021.
5. Më 20 korrik 2022, nuk mbrojti efektshëm të gjithë sistemin e të dhënave dixhitale të shtetit nga depërtimi i një virusi shkatërrues të tipit “Ransomware”, i cili bllokon funksionimin e sistemit dhe i vjedh të dhënat konfidenciale.
Ekspertët e IT, të cilët kanë punuar në ngritjen e sistemeve dixhitale qeveritare, pohojnë se, qendërzimi i të dhënave në vitin 2017 pranë AKSHI-t i ka ekspozuar të dhënat ndaj sulmeve kibernetike, ndërkohë që nuk është punuar me seriozitet në drejtim të mbrojtjes së efektshme të tyre.
Sulmet e tipit Ransomware pritet të kenë pasoja në të ardhmen, pasi dokumente me rëndësi mësohet se kanë humbur në Ministrinë e Jashtme, në atë të Mbrojtjes, në Ministrine e Financave dhe Ekonomisë, etj. Me papërgjegjësinë dhe pafytyrësinë më të madhe, sekti Rama nuk bën publike masën e të dhënave sensitive të hakuara dhe vjedhura. Kthimi i shërbimeve nuk e parandalon keqpërdorimin e këtyre dokumenteve të qytetarëve shqiptarë në të ardhmen, pasi tashmë, ato janë përvetësuar.