Nga Bujar Leskaj
Në qindra apo ndoshta mijëra artikuj që janë shkruar dhe shkruhen edhe sot në botë për ekonominë, është thënë e stërthënë nga studjues të ekonomisë, gazetarë dhe parlamentarë të shumë vendeve, shprehja “It’s the economy, stupid (Është ekonomia, o budalla!)” e këshilltarit Xhejms Karvil të Presidentit Bill Klinton në fushatën e suksesshme presidenciale të vitit 1992.
Kjo frazë lapidare paraqitet sot aktuale më shumë se kurrë tek ne, ku sekti Rama në qeverisje po bën të gjitha përpjekjet për të anashkaluar në sytë e qytetarëve situatën e rëndë dhe të pashpresë ekonomike ku ka zhytur vendin, si dhe skandalet e medha ne fushen e ekonomise, duke perfshire edhe ate te fundit nëpërmjet artificave të ndryshimeve në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Sulmi i neveritshëm ndaj personalitetit dhe figurës së ish-Presidentit Ilir Meta, duke e etiketuar informator të ish-Sigurimit të Shtetit, duhet dhe do të gjejë përgjigjen e merituar nëpërmjet rekurseve penale ndaj të gjitha institucioneve shtetërore që kanë fabrikuar këtë fallsifikim-provokim, të orkestruara nga Rama.
Sot opozita nuk duhet të humbasë kohë me shashkat që prodhon Lideri Global për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale të vendit. Ishte, në fakt, Partia Demokratike që kërkoi me insistim nga viti 1994 deri në vitin 2008 përmirësimin dhe plotësimin e ligjit të lustracionit(implementimi i të cilit, për hir të së vërtetës, ka ecur me zigzage) dhe ishte Partia Socialiste që iu kundërvu me forcë, për arësye që kuptohen lehtë.
Opozita e sotme duhet ta kërkojë të plotë llogarinë, në emër të qytetarëve të nëpërkëmbur të Shqipërisë, për vrasjen përfundimtare të shpresës, e cila ka bërë që për periudhen 2013-2021, emigracioni të rritet tek ne 4 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Ballkanit, edhe pse vështirësitë dhe kushtet ekonomike i kemi pothuajse të njëjta.
Rama duhet të japë llogari përpara opinionit publik, për faktin se keq-qeverisja e sektit të tij ka qenë shkaku kryesor i largimit të më shumë se 315 mijë të rinjve në nëndë vitet e fundit, ose njësoj sikur qarqet e Vlorës dhe të Kukësit të boshatisen brenda një nate dhe të kenë zero banorë! Duhet të vihet përgjegjës, për faktin që sot, sipas EuroBarometrit, 74.8 përqind e grupmoshave 19-27 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.
Është sekti Rama ai që praktikisht ka dëbuar mbi 500.000 shqiptarë në 9 vitet e qeverisjes së tij, duke e kapur shtetin me ligjet e qepura me porosi(sidomos Ligji 2020 që vulosi masakrën me pronat dhe Ligjin për Investitorët Strategjikë), si dhe me tenderat publikë vetëm për oligarkët dhe kompanitë beniamine të tij; ka përvetësuar dhe shpërdoruar me qindra milionë euro në super-aferën e shekullit të Inceneratorëve; ka përdhosur shtetin e së drejtës në Shqipëri dhe vrarë shpresën që një ditë Shqipëria do të bëhet.
Prandaj dhe opozita ka detyrën historike dhe patriotike sot, që zullumet e panumurta të këtij shpresëvrari që e mban veten për lider global, t’ia bëjë të qarta çdo ditë qytetarëve shqiptarë të japë alternativat e saj për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke risjellë shpresën për ndryshim real në Shqipëri.
V.O.: Kuvendi, komisionet e tij dhe ata deputetë të PS që sot kërkojnë me urgjencë përmirësimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, zhvlerësojnë veten dhe dalin noterë të rëndomtë të Ramës, pasi dy javë më parë kaluan Rezolutën për veprimtarinë dhe nuk i ngritën këto probleme.