Nga Fatmir Konja
Në majin e 1939-ës, Musolini lajmëroi Hitlerin se donte edhe tre vite që të ishte i gatshëm për një luftë evropiane, nëse Gjermania nuk e mbështeste për të zëvendësuar humbjet ushtarake të Italisë në Etiopi dhe luftën civile në Spanjë. Nga ana tjetër, Musolini kishte filluar realizimin e synimeve në Ballkan dhe Mesdhe, çka njihet në fjalorin politik si lufta e tij paralele.
Jo vetëm nga deklaratat, por edhe nga faktet konkrete, duket se diçka e ngjashme po tentohet edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Është e çuditshme sesi nuk merret seriozisht mundësia që Vuçiçi, (për të shkruar emrin në historinë e Serbisë), po përgatitet edhe për luftë. Dy vjet pasi kishte thënë të kundërtën, në dhjetor 2021 Serbia nisi të furnizohet me armë moderne nga Rusia, duke përfshirë raketa dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore. Buxheti serb për mbrotjen e kaloi shifrën 1 miliard euro.
Më 31 korrik 2022, në reagim ndaj vendimeve të Kosovës për reciprocitet në kufi, presidenti serb theksoi se Perëndimi nuk do luftë në Ballkan. Ai qartësoi: “Në rast se do të nisin të persekutojnë serbët, t’i keqtrajtojnë, vrasin, Serbia do të fitojë. Kjo është gjithçka që dua të them”.
Vuçiçi fantazoi gjithashtu se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e sheh veten si Zelenskin e Ukrainës, ndërsa atë si Putinin e vogël.
Të njëjtën ditë, ndërsa Putini ”i madh”, nënshkroi më 31 korrik në Moskë, një dekret për përditësimin e doktrinës detare, ku NATO e Shtetet e Bashkuara konsiderohen si kërcënimet kryesore të Rusisë, ministria e saj e jashtme i kërkonte “qeverisë së Prishtinës dhe mbështetësve të saj në Bruksel dhe Uashington të ndalin provokimet dhe të respektojnë të drejtat e serbëve etnikë në Kosovë”.
Në fakt ndërhyrja e mbështetësve të Kosovës për të shtyrë me një muaj zbatimin e vendimeve për reciprocitet në kufi lidhur me dokumentet dhe targat e automjeteve, u pasua nga një falenderim i presidentit serb për ta dhe Ministrinë e Jashtme të Rusisë. Vuçiçi bëri me dije se ishte ai që kishte kërkuar në mos anulimin, shtyrjen e vendimit deri në një marrëveshje në Bruksel.
“Po punojmë për qetësim. Gjithçka që mundemi, si mundemi. Sado e vështirë të jetë, nuk do të ketë dorëzim dhe Serbia do të fitojë”, ka përsëritur ai.
Në gjithë sa po ndodh, ky hipokrit i “Ballkanit të Hapur” paraqet rrezikshmëri të lartë për stabilitetin dhe paqen në rajon, e në veçanti për Kosovën.
Tanimë, kur bota demokratike ka konstatuar se ai qartazi po e rikthen Serbinë në një Rusi të vogël agresore në Ballkan, Aleksandër Vuçiçin po e josh ideja e një lufte paralele për të arritur në Kosovë, objektivat që nuk i arriti ish-shefi i tij, Sllobodan Millosheviçi.