BallinaOP EDDiploma universitare, kurth, per me mbajte antikomunistet larg pushtetit!

Diploma universitare, kurth, per me mbajte antikomunistet larg pushtetit!

Nga Hakik Mena

Në fillim të viteve 90, në momentet e para të zbatimit të planit të Katovicës, nji prej luftnave ma konsekuente që kryen zbatuesit e saj nëpërmjet mediave e pushtetit ishte : Propoganda për damkosjen e klasës së të persekutuemve si të pa-shkolluem, (dmth pa diploma universitare) dhe si rrjedhojë si e pa-zonja me administrue pushtet e me qeverisë. Mos gaboj, kanë pas kalue edhe nji ligj në at kohë, për moslejimin e personave pa universitet, me u zgjedh deputetë apo në poste të randësishme shtetnore. Aq e fortë dhe frytdhanëse ishte kjo propogand, sa që zuni vend edhe në psikën e mendjen e nji pjesë të madhe të klasës së të persekutueme, të cilët qëllonte edhe të shpreheshin se: “Ne nuk kemi njerëz me shkollë të naltë e te pregatitun me u perball me komunistat”, “Ata kanë nji armatë të pa fund kuadrosh me shkollë të naltë”, etj. etj. budallalliqe të këti lloji. Këto klishe u ngulitën gati përdhunshëm në trunin e nji pjesë të madhe të njerzve të klasës tonë. Për mendimin tim, kjo ishte nji prej mënyrave ma efikase që komunistat e kryen me sukses realizimin e projektit te tyne në drejtim te shkatrrimit të klasës tonë akoma pa e fillu luftën. Sepse na imponuen me e pranue ket propagande efikase të tynen si të drejtë e të vërtetë…
Shkolla e naltë, jo se nuk duhet, por nuk ashte kusht themelor me qenë i suksesshëm për me qeverisë. Tash, për me qenë objektiv, duhet me e pranu që klasën tonë me të vërtetë ajo kohë e gjeti te lodhun, e të rraskapitun dhe bash ajo pjesa ma e damtueme dhe e persekutueme nuk kishin nji kontigjent njerzish me shkolla të nalta, sepse ua ndaloi rreptësisht sistemi. E natyrisht, në kushte normale idealja do të ishte që çdo nëpunës shtetnor të ketë shkollën e naltë. Megjithëse në shumë vende të botës, madje vende me tradite të hershme demokratike, nuk ekziston nji kusht i tillë. Pra, diploma universitare nuk ashte gjithçka.
Une personalisht besoj gjithashtu që ndonëse shkolla e naltë asht nji element pozitiv për me qenë nji shtetar i mirë, ajo kurrsesi nuk asht gjithçka për me qeverisë. Bazamentet e randsishme për me qenë nji shtetar i mirë, janë: edukata kombtare, intuita ose dhuntia personale e individit për me qeverisë, tradita familjare e ndërgjegjja kombtare, elemente kto qe iu mungonin tansisht klasës politike që propagandonte diçka të tillë. E mbi të gjitha kur mendon se kush e rekomandonte e potenconte diçka të tillë, unë si i ri që isha në at kohë, më acaronte pa masë ma shumë se çdo gja kjo propogandë sa tinzake aq edhe paradoksale.
Në radhë të parë, tinzake, sepse bahej kryekeput për me lanë jashtë çdo vendimmarrjeje të politikës tonë kombtare, klasën e persekutueme, dmth ajken e kombit, pasi që dihej se ato ma të persekutuemit, nuk ishin leju me kry shkollat e nalta. E në radhë të dytë, paradoksale, kur krahasoja figurat e politikes me shkolla të “nalta” të cilat linin shumë për të dëshirue nga çdo aspekt tue i krahasue me figura intelektuale që kam pas fatin me nejt në internim si psh ( po përmend dy me emna sa për ilustrim, se ka pasë shumë ) ajo e Viktor Dostit (mik i familjes) dhe dajës tim Ahmet Kolgjinit, nga të cilët kam përfitue në shumë fusha, e shumë të tjerë si kto që ndonëse pa shkollë të naltë, se nuk ua kishte leju sistemi, por që nga pregatitja e tyne fare kollaj mund te jepnin leksione në universite jo në nji, por në disa fakultete të ndryshme, i tillë ishte formimi i tynë intelektual dhe diapazoni që kishin.
Pra nuk kishe si mos te acaroheshe kur ndigjoje nji propagandë të tillë bazu në argument absurd, të padrejtë, tejet qellimkeq, prej klasës politike të aprovueme prej Ramizoviç qoses. Ma e bukura asht se, edhe pse gjatë gjithë kohës, kjo kastë politike i ka mshue me të madhe me demek domosdoshmërisë së pasjes së diplomës universitare, kur vinte e vjen puna me veprue e zbatue projektet e qeverisë, të çdo ministrie, drejtues kryesor ishin e janë teknicienë ose profesionistë të huej. E natyrisht kur mendon keto fakte njeriu i ban pyetje vetes. Përse u kërku aq me ngulm shkolla e naltë, në at fillim të ndryshimeve politike ?!
Koha do ta vërtetonte se shkolla, ishte thjesht nji justifikim për me evitu ringritjen e klasës sonë – thelbësisht antikomuniste, – në politikën shqiptare dhe ma vonë për me ba të mundun vjedhjen e votave e të pronës private, të vrasjeve dhe eleminimit të kundërshtarëve, të aplikimit të korrupsionit, të shitjes së interesave kombtare e të realizimit të gjithçkaje, perveç qeverisjes me përgjegjësi kombtare.
Imagjinoni për nji moment, nese ne poziten e Kryeministrit te Shqipnise, gjate kohës së tranzicionit të tejzgjatun 26 – vjeçar, do te ishin figura të respektueme intelektuale antikomuniste si ajo e Viktor Dostit, Zini Dervishit, Sami Kupit, Ahmet Kolgjinit, Islam Spahisë, Eugjen Merlikës, Dine Dines e shumë të tjerë të cilët ishin vetëm me shkollë te mesme, në vend të atyne që kishin shkollën e naltë të partisë si Ylli Bufi, Sali Berisha, Fatos Nano, Pandeli Majko, Ilir Meta e deri tek ky i sotmi që sillet si zorrë e gjatë, here çupllak e herë tue mbathun patika t’bardha si halabak në takime serioze zyrtare. Nji gja ashte e sigurt se të parët, ndoshta nuk do te drejtonin me shkopin magjik, por ama, kurrë nuk do të lejonin faktin e mos dënimit të figurës kriminale e perverse të diktatorit Enferr Hoxha, kurrë nuk do të pengonin procesin e dekomunistizimit të vendit, kurrë nuk do të lejonin që votat të vidheshin e vullneti i popullit të deformohesh në zgjedhje, kurrë nuk do te lejonin vjedhjen e pronës private etj. etj. pika kyçe që kanë rezultue problematike në këto 2-3 dekada tranzicioni pseudodemokratik.
Ehh, sikur kjo pjesë e klasës tonë mos të binin pre e propagandës së djallzueme të kastës së Katovicës ose ramizovices, ndoshta do të kishim pasë nji shans, të gjithë si popull, për nji qeverisje normale e në nji bazament kombëtar… sa keq që u kapën mbas nji cope kartoni dhe i dhanë vlerë florini.
Por e keqja nuk paska fund, sepse ekziston akoma nji pjesë prej klasës sonë, që besojnë se as sot nuk kemi njerëz të aftë me drejtue e qeverisë…! Nji fund pa fund..
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular