Nuk ka më dilema, plotësohen 4 vazot e shortit të Champions-it, që do të hidhet të enjten në orën 18:00.
Vazo e parë dhe e dytë ishin plotësuar prej kohësh, ndërsa dilema e vetëm kishte lidhje me vazon e tretë, ku mund të pozicionohej Olimpik Marseja. Por kjo dilemë tashmë është shuar me kualifikimin e Benfikës që kishte një koeficient më të lartë se francezët e kështu, këta të fundit duhet të kalojnë në vazon e katërt.
Dinamo Zagreb, Kopenhagen dhe Rejnxhërs, ishin 3 skuadrat që siguruan biletat e fundit në grupet e Champions-it, ndarja e skuadrave në vazo e bën të mundshme krijimin e të paktën një “grupi ferri”. Kjo, për shkak se në vazon e tretë ka skuadra si Borusia Dortmund, Inter, Napoli apo edhe Benfika e Sporting, që kanë histori në një turne të tillë, me Marsejën e Sëlltikun në vazon e katërt që mund të dhurojnë rezultate surprizë në çdo grup.