Tre të rinj që u arrestuan pak ditë më parë pasi një adoleshente u dhunua në hyrje të pallatit ku ajo jetonte, dolën sot në gjykatë për rivlerësim të masës së sigurisë.
Gjykata la në burg vetëm njërin prej tyre, konkretisht 25-vjeçarin Ardit Çela, i cili ka qenë edhe ish-bashkëjetuesi i 16-vjeçares së dhunuar. I riu është lënë në burg me akuzën ‘vrasje me dashje e mbetur në tentativë’.
Dy miqtë e tij, që e shoqëronin ditën kur ai dhunoi ish partneren, u lanë të lirë, por me “detyrim paraqitje”.
Lidhur me akuzën se ata kishin qëllim ta dëmtonin me benzinë adoleshenten, Çela e ka mohuar para gjykatës të shtunën.
Mësohet se i riu Çela ka deklaruar se ditën e ngjarjes ka shkuar vetëm për t’u sqaruar me të dashurën e tij tek pallati ku ajo jetonte dhe se nuk ishin të vërteta akuzat ndaj tij se donte ta digjte me benzinë.