Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi unanimisht djegien e mandateve.
Ishte Lulzim Basha dje që njoftoi se do ti parashtronte deputetëve këtë propozim. Sot, kryedemokrati doli dhe komunikoi vendimet e grupit.
“Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, për shkak të kapjes në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, etj…, duke mbështetur propozimet e opozitës, për një qeveri tranzitore, grupi vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit e mafies në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. Grupi i PD autorizoi kreun e PD-së të ndjekë hapat e mëtejshëm”, tha Basha nga selia blu.
Mbledhja e PD nisi rreth orës 10:00 për të diskutuar propozimin e kryedemokratit Basha për djegien e mandateve, një vendim i paprecedentë në vend.
“Ne jemi në borxh me qytetarët. Ata na dhanë besimin ne duhet të jemi me ta. Gjendja është emergjencë kombëtare. Ky është hap nga pozitat e dominimit të forcës popullore na takon ne të udhëheqim shqiptarët”, u shpreh Basha në mbledhje. Ai gjeti mbështetjen e Sali Berishës, i pari që hodhi idenë për djegien e mandateve të opozitës, si të vetmen mënyrë për të rrëzuar regjimin autokratik të Edi Ramës.
“Duhet të ndërmarrim çdo akt që na çon tek rrëzimi i Ramës. Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’u kthejmë shqiptareve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë”, u shpreh Berisha.
Basha mori mbështetjen e deputetëve Ervin Salianji, Flamur Noka, Edmond Spaho, Agron Shehaj, Gent Strazimiri, Oriola Pompuri, Aldo Bumçi, Valentina Duka, Andon Frrokaj, Klevis Balliu, Florion Mima dhe jo vetëm.
Koment / Sa serioze është deklarata e Bashës për djegjen e mandateve?
“Duhet të gjejmë rrugën ligjore që t’i lëmë që tani mandatetet, mos presim teknikalitete.” –mësohet të jetë shprehur Salianji.
Flamur Noka deklaroi se opozita nuk mund të jetë fasadë e regjimit të Ramës. “Duhet djegie e mandateve të bashkohemi me qytetarët. Ky është një rregjim, nuk mund të sillemi normalisht, të jemi opozite fasadë.”
Kreu i grupit parlamentar, Edmond Spaho kujtoi përgjimet e Zërit të Amerikës, që sipas tij faktuan ilegjitimitetin e qeverisë Rama. “VOA ka dalë edhe ka pranuar që zgjedhjet janë vjedhur dhe ja kapur nga Rama. Nuk duhet kaloj kaq lehtë. Akuza që na kanë vënë është qe nuk i çojmë gjërat deri në fund. Kështu që nuk duhet të levizim nga djegia e mandateve. Zgjedhje me Ramen nuk hyjmë se ai prap do na i vjedhi. Kështu që djegia është presioni më i mirë dhe dalja në krah të vullnetit të qytetarëve.
Deputeti i Vlorës, Agron Shehaj, sheh të vetmen zgjidhje hetimin dhe largimin e Ramës. “Largimi i Ramës nuk është garancia e vetme për zgjedhjet e lira. Ne duhet të vëmë kusht hetimin e Ramës dhe arrestimin e atyre që kanë vjedhur në 2017. Unë jam dakort që mandatet duhen djegur, kjo është gjëja e duhur. Çështjet teknike i zgjidhni ju. Ne s’duhet t’i afrohemi parlamentit dhe komisioneve. Rama ka nevojë për normalitet, ne jo.”
Gent Strazimiri hoqi një paralele mes qeverisjes së Ramës dhe regjimit diktatorial që kaloi vendi. “Kemi gjithçka në parlament por politikë nuk kemi bërë dot. Aty nuk arrihet të behet politike. Keshtu që jam pro. Nuk ka moment më të mire pas përgjigjes që na dha populli në 16 shkurt. Ata që na dhanë mandatin, i themi ne nuk bejmë dot politikë në atë parlament, ja mandati ja u kthejmë juve. Është fillimi i një rruge për demokraci. Për komunistët parlamenti ka qenë legjitim edhe 46 vjet pa opozitë. Ata janë mësuar me egjim. T’i hapim betejë.”
Aldo Bumçi shkon përtej djegies së mandateve. Deputeti kërkon përshkallëzim të aksionit opozitar në terren dhe që opozita të mos futet në zgjedhje. “Djegie mandatesh në mënyrë të qartë dhe të shoqërohet me përshkallezim në terren. Të jemi me qytetarët, rruga të jetë politika jonë. Nuk futemi në asnjë lloj zgjedhje.”
Pas protestës së të shtunës, Lulzim Basha doli ditën e djeshme në konferencë për mediat ku theksoi se opozita do të vendosë djegien e mandateve të saj në Parlament. Basha tha se e ka lexuar siç duhet mesazhin që i erdhi nga protesta.
“…Ne nuk do vazhdojmë të jemi fasadë e një parlamenti. Ndaj unë jam sot këtu për t’ju thënë me përgjegjësi të plotë se e kam lexuar vullnetin tuaj. Ndaj kam vendosur t’i propozoj grupit parlamentar dhe forumeve më të larta politike djegien e mandateve të deputeteve tanë”, u shpreh Basha.