Ndeshja e hapjes së Botërorit 2022 është planifikuar të jetë ajo mes Katarit organizator dhe Ekuadorit. Por në fakt, kjo tashmë nuk është e sigurt, pasi janë kthyer edhe një herë dyshimet dhe rrezikohet përjashtimi i skuadrës amerikanojugore si pasojë e shtetësisë së Bajron Kastijo.
Kili ankimoi në FIFA pjesëmarrjen e Kastijo në ndeshjet kualifikuese të Botërorit, duke pretenduar se ai ishte kolumbian dhe kishte falsifikuar dokumentacionin e tij për të luajtur me Ekuadorin. FIFA në fund doli me vendimin se Kastijo ishte ekuadorian dhe e mbylli çështjen.
Por e përditshmja britanike “Daily Mail” ka publikuar foto të dokumentacionit që tregonte se Kastijo ishte në të vërtetë kolumbian dhe kishte falsifikuar dokumentet e tij për t’u regjistruar me Ekuadorin. E gjithë kjo mbështetej edhe nga një dëshmi audio e vetë futbollistit që pranonte gjithçka, teksa fliste për një komision të federatës së Ekuadorit në vitin 2018 rreth kësaj çështje.