Senatori Palmiro Ucchielli, aktualisht kryetar i Komunës së Vallefoglia-s, nënshkroi dje një marrëveshje binjakëzimi me Bashkinë e Tropojës. Para se të udhëtonte për në Tropojë, senatori dha një intervistë për gazetën “Panorama”, ku tregoi arsyet që e shtyjnë në këtë bashkëpunim.
Ai ka një vlerësim për komunitetin më të madh emigrantësh në Vallefogla, që janë shqiptarët e që janë rreth 300 persona, të gjithë të punësuar dhe me biznese të tyre. Senatori Ucchielli mbahet mend për këmbënguljen e tij në vitin 1999 në dy komisionet e senatit italian për të mbështetur sulmet e NATO-s për çlirimin e Kosovës. Kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi, shkruan në “Facebook”: “Së bashku me stafin tim patëm kënaqësinë sot të mirëpresim senatorin italian Palmiro Ucchielli, ku nënshkruam një aktmarrëveshje binjakëzimi midis Bashkisë së Tropojës dhe asaj të Vallegoflia. Nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit, një marrëdhënie me vlera të shumanshme bashkëpunimi e integrimi, jo vetëm midis institucionesh, por dhe shkëmbim vlerash të përbashkëta historike, arsimore, kulturore, politike, shoqërore mes dy popujve”
Kjo është hera e dytë që ju vizitoni Shqipëri. Cili është qëllimi i kësaj vizite?
Kjo është hera e dytë që vij në Shqipëri, herën e parë kam ardhur për të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi dhe miqësie në Durrës, kam qenë në Tiranë, kam takuar ministrin e Kulturës. Ka qenë ideja e vendosjes së raporteve me qytete më në brendësi të Shqipërisë. Dua të them se Tropoja është një mundësi e rëndësishme për ne, na kanë kërkuar që të aplikojmë për një projekt europian, e kemi kërkuar dhe ky projekt është financuar. Unë jam një njeri i dashuruar me malet, më pëlqen turizmi. Nga ana tjetër me Shqipërinë ne kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë për shkak e dhe të komunitetit shqiptar në Vallefoglia, që është komuniteti kryesor i personave që kanë emigruar në Itali, rreth 300 shqiptarë. Në bashkinë që drejtoj unë, në çdo fabrikë ka shqiptarë të punësuar, ka shqiptarë që kanë hapur aktivitetin e tyre ekonomik, bizneset e tyre, kemi një raport të mirë, një klimë shumë të mirë bashkëpunimi. Ndërmarrjet në Vallefoglia prodhojnë markat më të njohura botërore. Aktiviteti më i rëndësishëm në zonë me 1700 të punësuar është industria e frigoriferimit. Marrëdhënia jonë ka të bëjë me punën, punësimin, rritjen dhe zhvillimin e gjeneratës së re dhe përkujdesin për të krijuar siç e kërkon Bashkimi Europian, një homogjenitet dhe një përafri të standardeve të njëjta me ato të vendeve të BE-së. Urimi ynë i fortë është që Shqipëria të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur anëtare e Bashkimit Europian siç janë edhe vendet e tjera, me të cilat ne bashkëpunojmë.
Këtë ide dhe standarde doni që t’i përcillni në Tropojë?
Po, është e vërtetë, me mbështetjen e miqve tanë shqiptarë nga Tropoja në Vallefoglia, të cilët kanë gjithë vlerësimin tonë, jemi njohur në video me kryetarin e Bashkisë së Tropojës, dhe këto ditë do të kemi mundësinë që të takohemi dhe të flasim nga afër me njëri-tjetrin. Ne bazohemi te shembulli shumë pozitiv i 300 shqiptarëve në komunën tonë, të cilët punojnë dhe kanë krijuar edhe bizneset e tyre. Ajo që na bashkon është fakti se si ai, ashtu edhe unë, kemi një eksperiencë administrative jo të shkurtër, unë vij edhe nga një eksperiencë parlamentare që më kujton të gjitha problematikat e asaj kohe që kishin të bënin me Kosovën dhe luftën e saj për çlirim kur isha senator. Ka qenë një moment shumë i rëndësishëm, ka qenë një bashkëpunim ndërkombëtar miqësie dhe lidhjesh për arritjen e paqes, demokracinë dhe kjo kalon përmes territorit, qyteteve dhe qytetarëve dhe mbi të gjitha përmes brezave të rinj. Unë kam qenë 10 vjet President i rajonit Pesaro e Urbino kur takoja të rinjtë para se të niseshin me bursat Erasmus nëpër Europë dhe i takoja edhe kur ktheheshin, dhe shikoja se ata kishin ndryshuar komplet me atë që ishin. Prandaj them se ka një bazë të shëndetshme për të rritur por dhe mësuar realitetin tonë të ri. Për t’ju dhënë një ide, te ne janë duke u ndërtuar në këtë kohë rreth 600-700 mijë metra katrorë kapanone të reja si investime që kanë lidhje me ambientin, turizmin dimëror dhe veror.
Çfarë projektesh konkrete bashkëpunimi do të zhvilloni me Bashkinë e Tropojës?
Projektet konkrete do të vendosen bashkërisht dhe vizita ime është pikërisht për të parë se ku janë pikat dhe interesat e përbashkët, ne do të tregojmë për sistemin prodhues që zhvillojmë që është i nivelit ndërkombëtar në sektorin e përpunimit të drurit, të mekanikës, të frigoriferimit, industria e xhamit, që është e shumëllojshme dhe të kuptojmë nevojat e këtyre zonave. Unë kam parë shumë ndërmarrje ku punojnë shqiptarë, por kishte edhe ndërmarrje të ndryshme që kishin bashkëpunim dhe lidhje me ndërmarrjet shqiptare. Prandaj për ne është e rëndësishme që këto realitete të sjellin bashkëpunim dhe rritje të të dy rajoneve. Për shembull, ne kemi pasur probleme me çështjet hidraulike edhe për shkak të përmbytjeve të vazhdueshme dhe këtu kemi duhet të shohim edhe mundësitë e angazhimit të të rinjve që duan të mësojnë.
E shihni të vështirë që investitorët italianë të krijojnë biznese në Shqipëri?
Besoj jo, sepse në ndërmarrjet që kemi parë që punojnë për IKEA dhe grupe të tjera industrialë, kanë shumë raporte të mira me sipërmarrjet shqiptare, të cilat vijnë duke u intensifikuar dhe zhvilluar. Ajo që ndodh kudo, është fakti se të rinjtë kërkojnë punë dhe zgjerimi dhe shtimi i ndërmarrjeve do të thotë se u jep mundësi të rinjve të gjejnë punë. Territori ynë është një territor me një emigracion shumë të madh, nga Italia e jugut, por dhe nga vendet e tjera europiane, por komuniteti më i madh emigrant mbetet ai shqiptar me mbi 300 persona.
Gjatë luftës së Kosovës dhe ndërhyrjes së NATO-s, ju keni bërë një punë të shkëlqyer për të bindur Kryeministrin italian të kohës që të mbështeste këtë veprim. Sa e vështirë ishte kjo përpjekje?
Si të gjitha çështjen dramatike në situata lufte, ka qenë një moment i vështirë për Italinë dhe unë mendoj se ne si senat kemi luajtur një rol të rëndësishëm, kishim Komisionin e Mbrojtjes dhe Komisionin e Jashtëm që kanë punuar për muaj të tërë, gati 6 muaj bashkërisht. Më kujtohet se në Komisionin e Jashtëm kishim Giulio Andreoti dhe Gianni Agnelli, nuk ishte e lehtë, por punuam për të dhënë një kontribut të rëndësishëm për një klimë qetësie dhe paqeje.
Ishte një vendim i vështirë në ato rrethana?
Si të gjitha vendimet ishte një vendim i vështirë dhe ne bëmë mjaftueshëm nga ana jonë dhe nëse sot ka një klimë paqeje, kooperimi dhe bashkëpunimi, mendoj se një pjesë i dedikohet edhe atij vendimi që ne italianët i dhamë një dorë asaj lufte. Ne mendojmë se siç ndodh që luftërat sjellin shkatërrim dhe paqja sjell zhvillim, bashkëpunim mes vendeve dhe popujve, është e rëndësishme të mbajmë një klimë të një miqësie të fortë dhe sigurimi i paqes në këto territore do të thotë ruajtja e paqes edhe në Europë.
Si e keni gjetur Shqipërinë?
Herën e parë, para disa vitesh kur kam qenë, kam gjetur një imazh të mirë të vendit, pozitiv, kurse tani sapo kam ardhur e nuk kam arritur të shoh shumë. Më ka bërë përshtypje dinamizmi i vendit, kapaciteti i brezit të ri, të sjelljes së tyre në mënyrë korrekte.
Një mesazh të fundit para se të nisni këtë vizitë?
Mesazhi im është të rrisim bashkëpunimin ekonomik institucional, mund të na sjellë mundësi punësimi dhe bashkë me të kushte më të mira jetese dhe kur ka raporte të mira, paqja mes popujve mbretëron. Lufta nuk na çon gjëkundi!