Bordi i Transparencës ka vendosur sot që të rritë ndjeshëm çmimin e naftës pas zhvillimeve në tregjet globale, ku karburantet u shtrenjtuan pas vendimit të OPEC+ për uljen e prodhimit
Bordi e ka çuar çmimin me pakicë të naftës në 245 lekë, me një rritje rekord prej 22 lekësh që nga fillimi i funksionimit të tij në mars të këtij viti. Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë për litër.
Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit
Gazi do të tregtohet me 77 lekë për litër, nga 78 lekë që ishte deri tani.
Pak ditë më parë OPEC + ra dakord për shkurtimet e tij më të thella të prodhimit që nga pandemia COVID 2020, pavarësisht se tregu nuk ishte shumë i favorshëm dhe Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ishin kundër këtij vendimi, çka çoi në rritje të shpejtë të naftës në bursa.
Gjatë ditës së sotme, një fuçi naftë u tregtua me gati 96 dollarë. Ndonëse në bursa ky tregues është pothuajse në nivelet e fund shkurtit, përpara se të fillonte lufta, dhe kur në vend tregtohej me rreth 190 lekë për litër, operatorët e tregut pohojnë se shumë faktorë kanë ndryshuar që nga ajo kohë, duke filluar që nga dollari, që ka arritur në gati 120 lekë dhe rritja e kontratave të treguesit Platts, që është bursa referencë ku blejnë kompanitë shqiptare. Kontrata e Platts për tetorin është 1224 USD/ton dhe për nëntorin 1125,50 USD/ton.
Ndërkohë, ndërhyrjet e Bordit përmes fiksimit të çmimeve tavan të pakicës që nga fillimi i marsit nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e çmimeve, që po i afrohet sërish niveleve maksimale prej 260 lekë për litër që arritën në vend në mars. Përkundrazi operatorët pohojnë se Bordi po i pengon kompanitë të jenë fleksibël me blerjet që do u mundësonte atyre të manovronin më çmimet/monitor/