Gazeta greke “Kathimerini” i ka kushtuar një shkrim raporteve mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Në opinionin e gazetarit Stavros Tzimas me titull “Kërcimi i çuditshëm ballkanik i Erdoganit dhe Ramës” përmendet mbyllja e kolegjit turk “Mehmet Akif”, që sipas tij u mbyll me urdhër të Presidentit turk
Më pas në shkrim përmendet edhe takimi mes Ramës dhe Erdogan, që siç shkruan Tzimas shqiptarët mësuan për takimin e tyre nga një foto që vetë Rama postoi në rrjetet sociale.
Ndërsa teksa i referohet fjalimit të kryeministrit shqiptar në Asamblenë e Këshillit të Evropës, gazetari greke shkruan se “Rama i thuri lavde ‘vëllait të madh’.
SHKRIMI I PLOTË
Disa ditë pasi dy shkolla në Tiranë u mbyllën me urdhër të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan – sipas mediave turke – sepse ato ishin, me sa duket, “qendra terroriste” të drejtuara nga Fethullah Gulen, kryeministri shqiptar Edi Rama udhëtoi për në Ankara për të takuar liderin islamik.
Shqiptarët mësuan për udhëtimin nga një fotografi që ai postoi në rrjetet sociale ku shfaqet me Erdoganin, pa dhënë komente të tjera. Nuk është për t’u habitur, pra, që spekulimet rreth qëllimit të vizitës së tij u përhapën në sferën publike.
Zgjidhja e misterit erdhi vetëm pak ditë më vonë, në Strasburg. Duke folur në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Rama i këndoi me aq pasion Erdoganit, sa shkaktoi reagime.
Frustrimi u përhap kur ai u sulmua – në një mënyrë të mirënjohur në Kuvendin e Shqipërisë, me sarkazëm – kundër përfaqësueses së së Majtës së Bashkuar Evropiane, deputetes greke Nina Kasimati, e cila e kritikoi atë për rehati me Turqinë. Si rezultat, krerët e grupeve politike në këshill anuluan një darkë që kishin organizuar për nder të tij.
Rama zgjodhi atë forum për të lavdëruar “vëllain e tij të madh” dhe aleatin e tij strategjik në sytë e europianëve, të cilët gjithashtu janë vënë në shënjestër të kërcënimeve të Erdoganit.
Ka diçka kontradiktore dhe të pashpjegueshme në aspektin politik në këtë “romancë” mes kryeministrit shqiptar dhe presidentit turk: Sepse ashtu si Rama kërkon ta bashkojë vendin e tij më fort me axhendën islamike të Erdoganit, njerëzit në Shqipëri i kanë sytë e kthyer fort nga Perëndimi dhe mënyra e tij e jetesës.
Populli shqiptar dhe në veçanti të rinjtë po largohen nga vendi jo sepse po kërkojnë “parajsën” e Erdoganit, siç përshëndetet nga Rama. Eksodi është bërë aq i mprehtë në fakt, sa ambasadori britanik në Tiranë i bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të mos braktisin vendin e tyre.
Dhe nëse, siç pretendon Rama, interesat e Shqipërisë qëndrojnë në anën tjetër të Egjeut, atëherë pse vendi anëtar i NATO-s dëshiron të jetë pjesë edhe Bashkimit Evropian? A mund të jetë, në vend të kësaj – siç thuhet hapur në Shqipëri dhe pëshpëritet në sallat e diplomacisë evropiane – që janë interesat personale të Ramës që po e çojnë në këtë valle të çuditshme ballkanike me Erdoganin? Dhe a do të pranojnë evropianët një Shqipëri satelit turk në Adriatik dhe Mesdheun qendror?
Padyshim që jo, por në mungesë të një alternative të qëndrueshme, ata janë të detyruar të fusin të gjitha vezët në shportën e Ramës. Shtetet e Bashkuara, megjithatë, thuhet se po “bëjnë pazar”.