MARIGLEN KUME/ Nuk ka mësim normal në auditorë. Pas dy vitesh mësim në kushte jonormale për shkak të pandemisë, fakultetet nuk i kthehen as këtë vit rrjedhës së zakonshme.
Pedagogë e studentë do të mblidhen sot, ashtu si çdo ditë tjetër, por jo për të zhvilluar mësim. Së paku në orët 10:00 me 12:00 të paradites. Nuk do të jetë një bojkot i zakonshëm i të gjithë mësimit, por në vetëm dy orë në çdo ditë të javës. Për t’i kujtuar qeverisë rezistencën për një të drejtë themelore si dhe sensibilizimin e të gjithë instancave që kanë lidhje me universitetet.
Kjo e ditës së sotme do të jetë protesta e katërt e pedagogëve për një trajtim dinjitoz. Ata nuk mjaftohen me rritjen e papërfillshme prej 7% nga buxheti i shtetit, teksa shtojnë se pjesën tjetër, 8% nga ana e universiteteve buxheti i të cilave varet në masë dërrmuese nga tarifat e studentëve, nuk e konsiderojnë. Në krah të tyre kanë tanimë edhe studentët, të cilët janë shprehur hapur pro kauzës së tyre, në pritje të një përgjigjeje që nuk erdhi kurrë nga qeveria për një mbështetje prej 100 eurosh për çdo student. Ndërsa dekanëve, përmes një kërkese të nisur pas protestës së të premtes së javës që shkoi (faksimile përbri shkrimit) iu është kërkuar të qëndrojnë në krahun e atyre që i kanë zgjedhur, pra, pedagogët.
MESAZHI I MINISTRES
Në të gjitha daljet dhe komunikimet, si në tryezat e bisedimeve, ashtu edhe në ato publike, ministrja e Arsimit insiston për dialog, por bosh. Të shtunën, nga Universiteti i Sporteve, kërkoi mirëkuptimin e pedagogëve për situatën e krizës, në të cilën ndodhet vendi, sikundër shumë shtete të tjera.
“Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Shpeshherë kemi debate me njëri-tjetrin. Shpeshherë kemi mosdakordësi. Por në vend që të konfrontohemi, unë besoj që zgjidhja më e mirë është që ne të ulemi bashkërisht, pikërisht me frymë konstruktive me frymë dialogu me frymë ndershmërie, dhe duke mirëkuptuar njëri-tjetrin. Duke mirëkuptuar kushtet reale dhe burimet që kemi në dispozicion”, shprehet ministrja duke lënë të nënkuptohen burimet e pakta financiare për shtesën që kërkojnë pedagogët. Të njëjtën gjë deklaroi edhe dje, në urimin për vitin e ri akademik ku veçse numëron nismat e ndërmarra nga qeveria, por jo atë që kërkohet.
“Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu. Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare. Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve”, shkruan Kushi. Dy fjalë iu dedikoi edhe pedagogëve, ish-kolegë të saj dikur, të cilëve u shpreh mirënjohje e besim për të rritur përpjekjet për të bërë më të mirën, për studentët, për vendin.
Studentët: Përkrahim protestën e pedagogëve
Gjashtë organizata studentore me përfaqësues nga universitete të ndryshme nga e gjithë Shqipëria kanë shprehur hapur mbështetjen për protestën e pedagogëve. Përmes një letre drejtuar ministres së Arsimit, Evis Kushi, dhe ku vënë në dijeni ministren e Shtetit dhe atë të Financave, studentët artikuluan tri kërkesat e tyre. Të gjitha me karakter ekonomik që kërkojnë me patjetër përfshirjen e shtetit.
“Në vijim të shqetësimeve të vazhdueshme të shprehura, ashtu si dhe të diskutuara në këtë takim, vendosëm të drejtojmë këtë kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve shtetërore përgjegjëse, duke konkluduar në këto pika: Rritje e mbështetjes ndaj sistemit të Arsimit të Lartë, duke rritur përqindjen e dedikuar për arsimin në buxhetin e shtetit në normën 4%; Ulje e tarifës së studimit për të gjithë nivelet e studimit duke indeksuar tarifat në nivelin 2-fish (dyfish) të normës aktuale të inflacionit; Mbështetje për kostot e akomodimit dhe artikujt shkencorë/libra shkollorë duke bërë funksionale uljet prej minimalisht 20% nëpërmjet Kartës së Studentit, si dhe ofrimin e shërbimit dhe aksesit në Bibliotekës Online”, citohet në letrën kërkesë drejtuar dikasterit të Arsimit, në të cilin që në krye të herës shprehet qartë mbështetja për kërkesat e pedagogëve, të cilat konsiderohen jo vetëm të drejta, por në shë