Skenari B, nëse negociatat dështojnë? Gazment Bardhi: Kemi vetëm 1 skenar për fitoren e zgjedhjeve.
Gazment Bardhi nuk preferon të bëjë asnjë parashikim për përfundimin e bisedimeve PD-PD, por ai di me siguri se çështjet që ndajnë demokratët prej 1 viti nuk kanë ndryshuar. Megjithatë, ai thekson se në këto bisedime hyn pa asnjë paragjykim dhe beson se vetëm 1 skenar mund të sigurojë suksesin e këtyre bisedimeve. Në çdo rast, ai hedh poshtë çdo insinuatë për krijimin e ndonjë partie tjetër.
PJESË NGA INTERVISTA PËR EMISIONIN “PA CENSURË”
Elona Meço: Çfarë do të thotë të negociosh pa kushte?
Gazment Bardhi: Fakti që po hyjmë në bisedime pa kushte, dmth që kemi hequr nga opinionet që kemi për çështje të caktuara. Nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket atyre çështjeve. Nuk i kemi zgjidhur në një vit dhe është e pamundur që këto të zgjidhen për një javë.
Elona Meço: Keni menduar që fluksin brenda demokratëve që kundërshtojnë këto bisedime ta orientoni drejt një partie të re që merr votat kundër zotit Rama dhe zotit Berisha?
Gazment Bardhi: Unë jam dhe do të vazhdoj të jem në PD. Kam opinionet e mia për mënyrën sesi duhet të funksionojë.
Elona Meço: Edhe nëse këto negociata dështojnë nuk ka shanse që ju të krijoni diçka tjetër?
Gazment Bardhi: Nuk ka asnjë arsye për të krijuar diçka tjetër.
Elona Meço: Nëse këto negociata dështojnë, ju do të merrni pjesë në zgjedhje, sepse ju keni logon, vulën, firmën për t’u rregjistruar.
Gazment Bardhi: Unë nuk hyj në këto bisedime me paragjykim. Nuk hyj që këto të dështojnë. Nuk shikoj asnjë arsye që këto bisedime të dështojnë. Kam besim që do të gjejmë ura bashkëpunimi që demokratët të jenë konkurues për të mundur Edi Ramën. Nuk mendoj në këtë moment asnjë opsion tjetër. Demokratët kanë vetëm një skenar në këto momente, do të duhet të gjejnë rrugën për të bashkëpunuar, për të mundur Edi Ramën në zgjedhje. Ky është skenari im i vetëm në këtë moment. Nëse zhvillimet do të sjellin skenarë të tjerë, ne do të jemi aty dhe do t’i përgjigjemi me skenarë të tjerë. Por e rëndësishme është që në bisedime të hyjmë vetëm me 1 skenar. Nëse vijmë me skenarë B, C, D, e sigurtë është që nuk fitojnë demokratët.