Një ngjarje e rëndë është shënuar gjatë natës së kaluar në Tiranë, ku një i ri ka gjetur vdekjen pasi efektivët e Patrullës së Përgjithshme e kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit numër 3.
Në njoftimin për mediat, Agjencia e Mbikqyrjes Policore bën me dije se i riu ka ndërruar jetë pasi është dërguar në spitalin e Traumës dhe jo në duart e policëve. Në njoftimin zyrtar, bëhet me dije se efektivët e kanë ndjekur të riun që ka tentuar të shpëtojë prej tyre dhe pasi është kapur në zonën e Don Boskos, e kanë shoqëruar në Komisariat, ku ai dhe ka shfaqur probleme shëndetësore
“Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.” thekson AMP.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore
Informacion paraprak
Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.
Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L. K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.
Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.