Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim tha sot se kundërshtarët e reformës në Drejtësi, po i dyfishojnë përpjekjet e tyre për ta penguar atë dhe rezultatet e arritura. Ambasadorja Kim i bëri këto komente në ceremoninë e 30-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese.
Fjala e saj dukej se i drejtohej më së shumti njerëzve të politikës, kur u shpreh se koha e telefonatave, dhuratave e kërcënimeve ka marrë fund
“Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni, ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund!”, deklaroi ambasadorja Kim.
Ambasadorja amerikane pati dhe një thirrje drejtuar gjykatësve dhe prokurorëve.
“Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata. Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë”, theksoi zonja Kim.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha deklaroi se as ky institucion nuk i ka shpëtuar trysnisë politike.
“Duke qenë se vendimet e kësaj Gjykate, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjet politike të organeve të pushtetit si dhe në përcaktimin e mënyrës se si ato nuk duhet të veprojnë në raport me njëra tjetrën, jo në pak raste tensionet e mëdha politike e shoqërore janë zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese, jo rrallë herë retorika publike ka tentuar të përfshijë Gjykatën në debate me ngjyrime politike, nën petkun e diskurseve juridike, për të paragjykuar vendimmarrjen, apo për të ndërhyrë në pavarësinë e saj”, u shpreh zonja Tusha, duke shtuar se megjithatë “duke e transformuar debatin politik, në drejtësi kushtetuese, Gjykata ka kontribuar në zbutjen e përplasjeve apo ngërçeve institucionale”.
Edhe ambasadorja e Bashkimit europian, Christiane Hohmann, i mëshoi rëndësisë së Reformës në Drejtësi dhe institucioneve të reja të krijuara, duke e konsideruar reformën “një nga arritjet kryesore që i mundësoi Shqipërisë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit”.
Presidenti Bajram Begaj, citoi raportin e fundit të Komisionit europian për Shqipërinë, i cili “ka vlerësuar progresin në institucionet e reja të drejtësisë, por ka vënë në dukje edhe problematikat, që kanë cenuar eficensën e sistemit gjyqësor”. Sipas kreut të shtetit “pavarësia dhe paanshmëria kërkojnë mbështetjen e duhur financiare dhe autonomi buxhetore, për të mundësuar funksionalitet të plotë, aftësi vetë-rregulluese dhe për të mos lejuar asnjë cënim, nga asnjë degë e pushtetit”.
Gjykata Kushtetues ishte institucioni i parë që ndjeu pasojat e forta të procesit të rivlerësimit. Për një kohë të gjatë ajo nuk mundi të ushtrojë funksionet, pasi shumica dërrmuese e anëtarëve të saj u lane jashtë sistemit ose dhanë dorëheqjen. Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 8 nga 9 anëtarët që përbëjnë trupën e gjyqtarëve të saj./ Marrë nga VOA