BallinaEkonomiBuxheti 2023, shpenzimet për interesat e borxhit parashikohen në rritje me 20%

Buxheti 2023, shpenzimet për interesat e borxhit parashikohen në rritje me 20%

spot_img
spot_img

Ministria e Financave parashikon një rritje me rreth 20% të interesave të borxhit për vitin e ardhshëm.

Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në këtë shumë dhe kontigjencën për rreziqet e borxhit.

Shpenzimet për interesa parashikohen të rriten me 20% krahasuar me vitin 2022 (krahasimi me buxhetin e rishikuar të këtij viti), ndërsa në terma realë rritja e shpenzimeve të borxhit do të jetë në masën e 0.1 % e PBB-së.

Ministria e Financave ka parashikuar për vitin e ardhshëm një fond kontigjence prej 4.9 miliardë lekësh për të mbuluar rreziqet e lidhura me rritjen e shpenzimeve të shërbimit të borxhit. Mbështetur në relacionin e buxhetit, ky nivel vlerësohet i mjaftueshëm për të përballuar rritje përtej atyre të parashikuara si skenar më i mundshëm i normave të interesit përgjatë vitit 2023 dhe pjesës së mbetur të vitit 2022

Sipas ligjit organik të buxhetit, në çdo vit buxhetor të planifikuar duhet të përfshihet një kontingjencë e veçantë, prej jo më pak se 0.7% e shpenzimeve totale të buxhetit, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit me ndikim në nivelin e borxhit.

Ministria e Financave parashikon që borxhi publik për vitin e ardhshëm të ulet në 67.5% të PBB-së, nga 68.8% që është niveli i pritshëm për vitin 2022.

Gjatë viteve të fundit ekspozimi ndaj riskut të normave të interesit ka ardhur duke u zbutur, kryesisht për shkak të rikompozimit të portofolit të borxhit të brendshëm në drejtim të titujve afatgjatë me norma interesi fikse, si edhe bazuar në normat e interesit në nivele të ulëta në tregun e brendshëm dhe të huaj

Megjithatë, duke nisur nga viti 2022 risku i normave të interesit është në rritje të dukshme, duke marrë parasysh nivelin e lartë të borxhit afatshkurtër, si edhe pritshmëritë për rritje të normave të interesit në tregje pas situatës së krijuar nga konflikti Rusi-Ukrainë.

Në periudhën afatshkurtër, ky kërcënim është zbutur nga struktura ekzistuese e normave të interesit, në të cilën më shumë se 90% e stokut të borxhit të brendshëm përbëhet nga instrumente me normë interesi fikse.

Në 6-mujorin e parë të këtij viti, shpenzimet për interesa u rritën me rreth 800 milionë lekë ose 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kryesisht si rezultat i rritjes së stokut të borxhit në vlerë nominale si edhe efektit të rritjes së normave të interesit të instrumenteve qeveritare. Por, rritja e yield-eve është shpejtuar ndjeshëm pas tremujorit të tretë, çka tregon se impakti i rritjes së normave të interesit do të jetë më i dukshëm në vazhdim.

Përveç rritjes së yield-eve, tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë është karakterizuar nga një pjesëmarrje më e ulët e investitorëve në ankande. Sipas Ministrisë së Financave, financimi neto (emetime-maturime) në tregun e brendshëm për 6-mujorin 2022 rezultoi në vlerën e -2.8 miliardë lekë.

Rënia e huamarrjes së brendshme neto ka reflektuar hezitimin e bankave për të investuar në obligacione shtetërore, kryesisht në ato afatgjata, për shkak të pasigurisë së ardhshme dhe pritshmërive për rritje të normave së interesit, bazuar në zhvillimet e fundit në tregjet financiare, ndikuar nga pasojat e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Sipas Ministrisë së Financave, gjatë pjesës së mbetur të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, menaxhimi i borxhit do të ketë në fokus plotësimin e nevojave për huamarrje, duke mbajtur në konsideratë përmirësimin e mëtejshëm të strukturës së borxhit në drejtim të uljes së ekspozimit ndaj risqeve.

Gjithashtu, në tregun e brendshëm do të merren masa për të inkurajuar pjesëmarrjen e investitorëve në letrat me vlerë qeveritare. Në tregun e brendshëm, nëpërmjet titujve afatshkurtër kryesisht do të synohet rifinancimi i titujve ekzistues, si dhe menaxhimi i nevojave për likuiditet. Ndërkohë, nëpërmjet titujve afatgjatë do të synohet të realizohet huamarrja e re e planifikuar.

Yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë ndjekur një tendencë rritëse duke filluar nga muaji mars 2022, rritje kjo e ndikuar nga rritja e normës bazë të interesit në tregun vendas si edhe nga pritshmëritë për rritje të mëtejshme të normave të interesit në përgjigje të inflacionit të rritur./Monitor/

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular