Nga GENC POLLO
Shkolla austriake “Peter Mahringer” në Shkodër festoi javën e shkuar 15-vjetorin e themelimit të saj. Ceremoninë përkujtimore në sallën sportive të shkollës e përshëndeti, krahas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit e të bashkisë, edhe ministri austriak i Arsimit, Martin Polaschek. Ky i fundit kishte ardhur enkas për përvjetorin në krye të një delegacioni të madh. Si ministër Arsimi, i cili bashkë me palën austriake në v. 2005-2007 konceptoi e themeloi këtë shkollë të veçantë, po shkruaj disa radhë për të kujtuar e shpjeguar.
ZANAFILLA INTERESANTE E NJË SHKOLLE
Qeveria Berisha sapo ishte betuar në shtator 2005 dhe vizitën e parë ndërkombëtare e pati nga znj. Elisabeth Gehrer, ministre e Arsimit të Austrisë. Ajo, një mike e hershme jona, ishte e angazhuar prej vitesh në Shqipëri me veprimtari humanitare. Tashmë, si ministre, kishte plane për zgjerimin e mbështetjes austriake në arsim me fokus kryesisht në arsimin profesional. Mbas takimit zyrtar me mua në Tiranë dhe në përfundim të vizitës së përbashkët në Shkodër qëndruam për darkë në restorantin “Legjenda” në dalje të qytetit, aty ku Drini derdhet në Bunë. “Po sikur të hapim një shkollë austriake në Shkodër?”, më thotë znj. Gehrer me gotën me verë në dorë dikur nga fundi i darkës ende pa ardhur ëmbëlsira.
Gjatë dy viteve në vijim, administratat e Ministrisë së Arsimit sh qiptare dhe austriake si dhe të tjera organe shtetërore punuan me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë e të motivuar nga një vullnet pozitiv. Kapërcimi i vështirësive, përfshi edhe sfida komplekse për kohën si furnizimi me ujë e korrent, ndodhi në kohë rekord. Trualli i shkollës u ofrua me bujari nga Urdhri Françeskan me përkrahjen e plotë të provincialit At Ndue Gashi dhe të At Zef Pllumit. Shkolla zuri gati treçerekun e Kuvendit të tyre në lagjen “Arra e Madhe”.
Një episod kurioz nga françeskanët: dikush, ende i traumatizuar nga ateizmi komunist, kundërshtoi që shteti shqiptar të kishte pjesëmarrje në këtë shkollë (siç parashihej nga marrëveshja dypalëshe standarde) sepse në rast rikthimi të komunizmit do të konfiskohej shkolla si kishat e manastiret në v. 1967. Kjo pikëpamje u duk jo e arsyeshme dhe nuk u mor parasysh nga Urdhri. Nuk është rasti të shtjellojmë këtu nëse kundërshtimi i vetmuar i një frati mund të kishte pasur elemente profetikë.
Një tjetër episod kurioz nga austriakët: meqë zgjedhjet parlamentare të tetorit 2006 nxorën fitues socialdemokratët, qeveria e zonjës Gehrer me Kancelar z. Wolfgang Schuessel, të dy ishin të Partisë Popullore të qendrës së djathtë, i transferuan fondet ende të pashpenzuara të shkollës në një llogari speciale prej nga nuk mund t’u ndryshohej destinacioni. Megjithatë, druajtja e tyre se mos qeveria vijuese nuk do ta mbështeste projektin e Shkodrës fatmirësisht rezultoi e pavend. Shkolla përfundoi dhe u inaugurua në kohën e Kancelarit socialdemokrat, Gusenbauer. Ajo u emërtua “Peter Mahringer” në përkujtim të një funksionari të lartë që ishte i përkushtuar për angazhimin austriak në Shqipëri.
MBI VETË SHKOLLËN “PETER MAHRINGER”
Austria kishte “shkolla jashtë vendit” (Auslandsschulen) në gjashtë shtete të huaja. Shkolla e Shkodrës është e shtata si dhe e para në Ballkan po të mos llogarisim Kolegjin Shën Gjergji në Stamboll, të themeluar në shek. 19. Me kërkesën tonë ajo mori profilin e një shkolle profesionale të teknologjisë së informacionit; ndryshe nga gjashtë shkollat e tjera me profil gjimnazial.
Shkolla ka 480 nxënës (40% vajza), të cilët marrin mësim nga 50 mësues austriakë e shqiptarë. Shteti ynë kontribuon me bursa studimi për afro një të tretën e nxënësve. Diplomat e lëshuara nga kjo shkollë njihen si shqiptare, por edhe austriake. Nga kjo e fundit ato njihen automatikisht si të vlefshme në të tërë Bashkimin Europian. Kompetencat bërthamë që formohen aty janë teknika kompjuterike e mediave dhe e rrjeteve. Në një vlerësim mbaraustriak të shkollave, siç njoftoi në fjalimin e tij ministri Polaschek, shkolla e Shkodrës ishte ndër vetëm tetë shkolla austriake të certifikuara cilësisht. Maturantët e kësaj shkolle më së shumti vazhdojnë studimet universitare në Austri e thithen menjëherë nga tregu i punës austro-europian.
Sot, ky element përfshihet në kontekstin e përgjithshëm të hemorragjisë migratore në Shqipëri dhe shihet me trishtim. Në vitin jo dhe aq të largët 2007, kishim një tjetër situatë demografike dhe ky element shihej si pozitiv. E megjithatë, kjo shkollë, e vetmja shkollë e huaj në Shqipëri pas Liceut Francez të Korçës, është një vatër dije e profesionalizmi si dhe një urë lidhëse mes Shqipërisë, Austrisë dhe Europës.
Në këtë përvjetor është rasti për t’i thënë Austrisë faleminderit dhe Dankeschön!
* Ish-ministër e deputet