Kristiano Ronaldo dhe Portugalia kanë mbërritur dje në Katar, ku do të vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen e tyre të parë të Kupës së Botës.
Luzitanët do të debutojnë me Ganën më 24 nëntor, për të vazhduar më pas me dy sfidat e tjera ndaj Uruguait e Koresë së Jugut dhe fytyrat e buzëqeshura të lojtarëve në aeroportin e Lisbonës ishin më shumë se shpresëdhënëse për tifozët që përshëndetën heronjtë e tyre. Padyshim që vëmendjen kryesore e mori kapiteni Ronaldo, që do të luajë Botërorin e tij të pestë, jo vetëm për faktin që mban peshën kryesore të skuadrës, por mbi të gjitha për lajmet që kishin nisur të qarkullonin paraditen e djeshme.
Britanikja “Daily Mail” zbuloi se 37-vjeçari edhe pse është i fokusuar tashmë në Kupën e Botës, pas përfundimit të saj mund ta gjejë veten pa skuadër. Pasi u transmetua e plotë intervista e lëshuar për Pirs Morgan, ku portugezi sulmonte klubin, anglezët kanë nisur procedurat për t’i ndërprerë menjëherë kontratën që i skadon në qershor.
PROCEDURAT – Me fjalët e lojtarit dhe veprimin e parë të klubit që hoqi imazhin e tij nga posterat pranë stadiumit, u bë gjithmonë e më absolut fakti që mes palëve nuk do të kishte më paqe. Rikthimi në “Old Trafford” i CR7-ës si zot shtëpie është tashmë i pamundur, por problemi qëndron si do të menaxhohen çështjet ekonomike. Për këtë, duke i cilësuar akuzat e sulmuesit ndaj pronësisë dhe trajnerit, jo vetëm si shkelje disiplinore, por edhe si shkelje të kontratës, avokatët e Junajtidit kanë nisur procedurat ligjore për të bërë të mundur që ndërprerja e kontratës të vijë pa i paguar asnjë qindarkë Kristianos. Ndërsa portugezi duhet të përfitojë edhe 16 milionë paund deri në qershor, klubi nuk ka ndër mend të paguajë asnjë lloj kompensimi, të bindur se kanë çdo gjë në favor për të pasur drejtësinë nga ana e tyre.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL