Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka përshëndetur 3 kandidaturat të cilët do të garojnë për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në një postim në Twitter, Kim thotë se procesi i përzgjedhes duhet të jetë pa manipulime që kërkojnë të bllokojnë apo të pengojnë drejtësinë.
Sipas saj, këto taktika i përkasin një të shkuare që e ka dëmtuar shumë drejtësinë.
Postimi i Yuri Kim:
Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të SPAK-ut, është thelbësore që procesi të jetë transparent në mënyrë që kreu i ardhshëm i Prokurorisë Speciale të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe historikut dhe të jetë i aftë e i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK-u, ashtu si reforma në drejtësi duhet t’i shërbejë të ardhmes së Shqipërisë.
Kujtojmë që një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë shqyrtoi kandidaturat e Adnan Xholit, Altin Dumanit dhe Edvin Kondilit për të cilët nuk kishte asnjë masë disiplinore në fuqi. Kjo i hap rrugën atyre drejt kandidimit për garën e SPAK.