Shqipëria – vendi prej të cilit duhet ikur natën/Nga Erl Kodra

0
699
Nga Erl Kodra
Ajo çfarë po ndodh në vend përkufizohet me vetëm dy fjalë; mjerim dhe turp. Është e mjerueshme dhe e turpshme njëkohësisht kur sheh se si klasa politike ka krijuar një hendek të pakapërcyeshëm mes interesave jetike të qytetarëve dhe interesave të saj. Por cilat janë interesat jetike të qytetarëve dhe interesat e klasës politike.
Paradoksi qëndron në faktin se klasa politike flet në emër të interesave jetike të qytetarëve, por ndërkohë, ajo merr në konsiderat vetëm interesat e veta. Në të vërtet, klasa politike ka humbur qëllimin e ekzistencës si një instrument politik në duart e qytetarëve, duke u kthyer vet në një shtresë shoqërore, përndryshe në një grup interesi, të interesuar për të ruajtur status quo-në aktuale.
Klasa politike thotë se “po mbron interesat qytetare, po i përfaqëson ato” – por ndërkohë, ajo ka uzurpuar të gjithë pushtetin politik, ekonomik, gjyqësor dhe mediatik në vend. Për më tepër, sistemi i ngritur nga kjo klasë politike ka pamundësuar lindjen e forcave të reja politike, duke asgjësuar çdo zë ose lëvizje që do të tentonte të ngrinte krye.
Sipas standardit të krijuar, të jesh një politikan do të thotë që detyrimisht duhet të jesh ose me Edi Ramën, ose me Sali Berishën, ose me Ilir Metën – përndryshe ti je dikush që duhet të heshtësh përgjithmon. Ti nuk mund të shkelësh në politikë, nuk mund të flasësh, nuk mund të kërkosh asgjë; detyra jote është të futesh në rrjesht, të shkosh pas Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ti ke vetëm tre alternativa, që megjithse i ke provuar që prej vitit 1990, as nuk të lejohet të mendosh për ndonjë mundësi tjetër. Kështu, politika ka krijuar “shtresën e vet shoqërore” – një kastë e veçantë individësh që nuk përfaqësojnë më interesat e askujt, përveç interesave të veta.
Një parti politike është një grup personash të organizuar për të fituar dhe ushtruar pushtet politik – me kushtin që ata të mbrojnë interesin e qytetarëve që i votojnë. Kështu, individë me ide dhe filozofi të ngjashme politike bashkohen në një parti- të majtë ose të djathtë – duke mbrojtur interesat jetike të qytetarëve. Presupozohet se politikanët ekzistojnë për të përfaqësuar qytetarët, se ata nuk mund të kenë interesa të tjera përveçse interesat e vendit dhe të votuesëve të tyre. Ata nuk mund të përbëjnë një shtresë shoqërore, ata nuk mund të ekzistojnë përveçse si përfaqësues të drejtpërdrejtë të popullit të majtë ose të djathtë.
Përshembull, Partia Socialiste përfaqëson vetëm interesat e një grupi të kufizuar, në rastin më të mirë të 5000 individëve në të gjithë Shqipërinë, të gjithë njerëz të pasur, pa asnjë ide ose filozofi të majtë politike. Ata nuk mbrojnë asnjë interes publik, as të votuesëve të tyre, as të vendit. Ata i janë bashkuar Partisë Socialiste për interesa thellësisht personale, si mënyra më e thjesht për të krijuar pasuri përmes korrupsionit. Ata nuk kanë nevoj për ide politike, as për filozofi, sepse filozofia e tyre është vetëm pushteti dhe paraja, që ua siguron Edi Rama. Bindja ndaj Edi Ramës mjafton – idetë politike dhe filozofike jo vetëm që nuk janë të nevojshme, por janë edhe të rrezikshme. Sepse idetë mund të krijojnë lidhje me qytetarët, dhe qytetarët nuk ekzistojnë në filozofinë e pushtetit dhe parasë. Këta njerëz mbahen aty për ti shërbyer Edi Ramës, jo për të menduar – dhe për shërbimet e kryera ata shpërblehen me plaçkë. Njëqind për qind si si bandat.
Edhe krahu tjetër funksionon me simetri të plotë, me të njëjtët njerëz që prej dhjetorit të vitit 1991. Edhe ata janë ngjitur pas pushtetit dhe pasurisë – por pa ide ose filozofi politike. Ideja e vetme është se ata thonë gjithë kohën se Edi Rama është i keqi – në fakt ai është vërtet i tmerrshëm – dhe si alternativë kanë Sali Berishën. Kështu, të gjitha personazhet e Dhjetorit 1990 – pa përjashtim – përveç atyre që kanë ikur nga kjo botë, vazhdojnë të kontribuojnë për demokracinë, pavarësisht se idetë e tyre dhe filozofia kanë avulluar me kohë. Mesa duket, filozofia e tyre e vetme politike është Sali Berisha, njeriu që i mbajti afër, u dha pushtet dhe pasuri, dhe ata nuk kanë asnjë faj pse vazhdojnë të besojnë tek i njëjti njeri që prej 32 vitesh – sepse atë çfarë kanë arritur jetë e kanë prej tij. Dhe kanë të drejtë, tek e fundit kush do ta njihte Tritan Shehun po të mos ishte Sali Berisha?!
Ky grupim përbën të djathtën shqiptare, por që akoma brohoret “liri demokraci”.
Grupimi i tretë ka organizim sindikal, të drejtpërdrejtë. Ata nuk e kanë fshehur ndonjëherë se të gjithë janë aty vetëm për t’i shërbyer Ilir Metës. Ata janë njerëzit e tij, ushtarë të gatshëm në shërbim. Pa lidhje me idealet, as filozofinë politike. Por thjesht për t’u shpërblyer në kohën dhe momentin e duhur. Dhe të jemi të sinqertë – Ilir Meta shpërblen mirë. Më mirë se dy të parët.
***
Muaj pas muaji dhe vit pas viti është krijuar shtresa e politikanëve, në nivel qëndror dhe lokal, që në total përbëjnë diku tek 30,000 persona. Ata merren non-stop me politikë, pa pushuar asnjë ditë të vetme, që prej 32 vitesh, në shërbim të tre njerëzve – Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës. Interesi i tyre nuk janë qytetarët, por Berisha, Meta dhe Rama. Sepse interesi i tyre është paraja dhe pushteti, që këta të tre ua sigurojnë pa hesap. Nga taksat e shqiptarëve.
Kjo është “shtresa e politikanëve” që ka marrë peng vendin. E errët, pa skrupuj, e aftë të propagandojë gjithë ditën se po lufton për të drejtat e shqiptarëve. Ata të fyejnë, të mallkojnë, të asgjësojnë nëse ua prekë një qime floku çdonjërit prej kapove. Ata e konsiderojnë politikën si mjet për të kapur vende pune, për të përfituar leje dhe liçensa, për të fituar tendera, para dhe punë publike – pa garë, pa rregulla. Kështu ka qenë, kështu është që prej 32 vitesh.
Një vend prej të cilit duhet të ikësh natën.