Organizata globale e mirëqenies së kafshëve FOUR PAWS njofton se po përgatitet për shpëtimin e ariut të fundit të restorantit në Shqipëri, ariut të murrmë Mark, 24-vjeçar.
Marku është mbajtur si atraksion turistik pranë një restoranti në Tiranë ku ka jetuar pothuaj të gjithë jetën në një rrethim të vogël me dysheme betoni, pa asnjë mundësi për të jetuar si ari.
Aktualisht shëndeti i Markut nuk është në gjendje të mirë dhe ai ka nevojë urgjente për kujdesin e duhur.
“Ne dëshirojmë t’ju ftojmë të bashkoheni me ekipin FOUR PAWS në terren më 7 dhjetor, kur Mark do të lërë më në fund kafazin dhe do të niset drejt strehimores së arinjve në Arbesbach të Austrisë”.
Shpëtimi i Markut është një moment historik i rëndësishëm për mirëqenien e kafshëve të egra në Shqipëri.
Megjithatë, FOUR PAWS thotë se puna e tyre në Shqipëri nuk ka përfunduar.
FOUR PAWS kërkon një ndalim total të mbajtjes private të arinjve dhe luanëve dhe tigrave dhe u kërkon autoriteteve të ndërmarrin urgjentisht iniciativën për të luftuar tregtinë e paligjshme në rritje të kafshëve të egra për të parandaluar daljen e saj jashtë kontrollit.
Gjithashtu, krijimi i një strehimoreje për kafshë të egra në Shqipëri është i nevojshëm për të bërë të mundur sekuestrimin dhe konfiskimin e kafshëve të mbajtura ilegalisht.