Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nga Burreli largimin e Presidentit Ilir Meta, për të cilin tha se nga dje e ka shkruar vetë fatin e tij dhe se e ka humbur të drejtën të qëndrojë më në atë zyrë.
Rama e quajti Metën, shpëtimtar të atyre që kishin mbetur në rrugë dhe e cilësoi vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve ligjërish nul dhe moralisht turp.
“Ka shumë më tepër njerëz se ç’dalin në bulevard që duan që kjo qeveri të ikë një orë e më parë, por ama shumica e atyre njerëzve që kanë të gjithë të drejtat e tyre të mendojnë ndryshe nuk janë budallenj dhe nuk mund t’i tërheqë kush prej hunde. Qeverinë nuk e rrëzon asgjë përveç votës së popullit por dëmton ekonominë e secilit.
Dje papritur për shumëkënd por krejtësisht sipas parashikimeve tona dhe të mia, u shfaq shpëtimtar i atyre që kishin mbetur atje në rrugë, as më shumë e as më pak por Presidenti i Republikës duke paralajmëruar një akt që politikisht është vetëvrasje, ligjërisht është nul, nuk ekziston dhe moralisht është turp si s’ka më turp”, deklaroi kreu i maxhorancës.
Ai paralajmëroi të tjera zhvillime duke aluduar për një shkarkim të Presidentit të Republikës, ndërsa theksoi se zgjedhjet do mbahen më 30 qershor.
“Dhe mos u çudisni nëse ju them se nga fronti i shpëtimtarit të opozitës s’kemi parë gjë akoma. Nuk është çmenduria e fundit do ketë edhe të tjera por ama një gjë është e sigurt. Do apo s’do Saliu, do apo s’do Iliri, do apo s’do Lulzimi, do apo s’do filaxhani zgjedhjet do mbahen më 30 qershor.
Kushtetuta e Republikës nuk është filaxhan që rrotullohet, zgjedhjet nuk janë lloj i kafes turke që e kthen përmbys bashkë me filxhanin. Fatin e tyre politikanët e shkruajnë vetë. Dje Ilir Meta ka shkruar fatin e tij, si një president që e ka humbur të drejtën të qëndrojë në atë zyrë. Të gjitha ata që udhëheqin lëvizjen Rama ik, do ikin një nga një vetë”, deklaroi kryeministri Rama.