Thellohet përplasja publike mes kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim, për çështjen e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK dhe ecurinë e reformës në drejtësi.
Ishte kryeministri Rama i cili konfirmoi të martën para gazetareve qëndrimin për njoftimin e pazakontë të ministrisë së jashtme me 8 dhjetor, se për ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka nisur procedura e zëvendësimit.
“Nuk është thyer asnjë etike dhe procesi për zëvendësimin ka nisur siç është thënë nga Ministria e Jashtme, e ka nisur Departamenti i Shtetit jo ne… Njoftimi vetëm për këtë rast, sepse Amerikën e kemi të veçantë, nuk komentojmë për të gjithë ambasadorët”, tha Rama
Pas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, vetë ambasadorja Kim reagoi fillimisht në një dalje publike gjatë një aktiviteti të Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke deklaruar se qëndrimi i saj në Shqipëri do të jetë më i gjatë se mandati i saj 3-vjeçar. Ndërkohë që kërkoi që vendimet e institucioneve të Drejtësisë nuk duhet të çojnë në një kthim në të shkuarën.
“Le të sigurohemi që vendimet që merren se kush do të jetë drejtues i këtij apo atij institucioni, kush bëhet prokuror, kush është aty, kush bëhet gjyqtar, kush vetohet, kush jo, si dalin vendimet – le të sigurohemi që ato vendime që marrim, të na drejtojnë drejt së ardhmes, që të mos na mbajnë në vend, të mos na çojnë pas. Nuk mund të kthehemi prapa”, tha Yuri Kim.
Sipas Zërit të Amerikës komenti i saj tingëllon haptazi si një kambanë që bie përpara përzgjedhjes së kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa vjen një ditë pasi u takua me kryeministrin Rama. Ky i fundit me një “twitter” mëngjesin e së mërkurës avancoi me qëndrimin e tij kundër frymës së ambasadës amerikane duke deklaruar se Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, dhe as ambasada.
“Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorja, vulorja, fallxhorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet! Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve, të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e performanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, shkroi Rama.
Reagimi i Ramës u bë pasi ambasadorja Kim e tha hapur se kreu i ri i SPAK nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet.
“Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar ose manipuluar hetimet. Ky është thelbi i reformës në drejtësi: drejtësia duhet të jetë e verbër ndaj pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE; është kërkesa e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e reformës në drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë. Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes së SPAK-ut për të siguruar që reforma në drejtësi të ecë përpara”, shkroi ambasadorja e SHBA.
E ndërsa Yuri Kim u ka bërë të qartë anëtareve të KLP se zgjedhja e kreut të SPAK nuk mund të ndikohet nga ata që kanë interes manipulimin e procesit, është Rama ai që i ka treguar kufijtë ambasadores amerikane, që përfaqëson vendin që i ka dalë garant dhe ka investuar më fort në hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi. Zgjedhjet për kreun e ri të SPAK zhvillohen të premten më 16 dhjetor, dhe kandidatë janë prokurorët, Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.