Kujt i druhet Edi Rama që nuk çon për votim Draft-Raportin e Reformës territoriale?

0
365
Nga Fatmir Guda
Sado të tallë “Ballën” me deputetët e listës së vet, është e patolerueshme që Edi Rama të mund ta trajtojë edhe parlamentin si black box-in e Akademisë së Arteve, të cilën e ndërtoi enkas si kryebashkiak sefte i Tiranës, që ta përdorte atë më së shumti për “argëtime” të shfrenuara në grup tej imagjinatës me takëmin e vet.
Fiks qysh prej 31 Tetorit, bëhet gati 1 muaj e gjysëm, që dy draft-raportet e komisionit kuvendor të reformës territoriale, pasi kanë kaluar me debat në seancë plenare ku dhe është shprehur vullneti i gjithsecilit prej grupeve parlamentare dhe në shkelje flagrante të ligjit dhe rregullores së Kuvendit, ndonëse janë thyer të gjitha afatet ligjore mbi funksionimin e këtij komisioni, ende ato nuk i janë nënshtruar proçesit të votimit. Pavarsisht se cili do jetë rezultati i votimit proçedura do të duhej të ishte ezauruar qysh në seancën e debatit.
Për të ardhur keq është që përtej papërgjegjshmërisë dhe sjelljes tërësisht private të Edi Ramës ndaj parlamentarizmit kaplon edhe heshtja jo pafaj e opozitës, e cila në tagrin e të interesuarës së madhe për këtë proçes , nuk e ka vënë hiç ujët në zjarr, pasi prej një viti e gjysëm duke mos ditur mbi parimet për të cilën u krijua në dhjetor ’90, vijon e dergjet peng e vetvetes, bisht-zënë prej rrotës së qerres të sherrnajës pa mbarim.
S’dihet nëse kryeministri me mos çuarrjen në seancë plenare për votim të draft – raportit, ndaj të cilit ka shprehur vullnetin politik kundër, e ka hallin tek shtimi i pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët e meziprisnin kryerjen e kësaj reforme; me mungesën kurajos prej daljes fjale ndaj partnerëve përkundrejt angazhimit premtuar atyre për t’i dhënë konsensualitetin e munguar ligjit të pushtetit vendor dhe rindarjes administrative; apo me drojen e ndonjë surprize të pakëndëshme votash kryesisht edhe prej deputetëve të tij. Gjithsesi lënia rrugëve dhe pa proçedurë votimi e një nisme ligjore me dimensione kombëtare e me efekt të drejtpërdrejtë në demokracinë vendore është e paimagjinueshme, e dënueshme, tallëse dhe e paprecedentë.
Miratimi ose jo i një projekt-drafti nuk percaktohet nga fjala apo vullneti i shprehur me fjalë, por nga akti. Në rastin konkret vota. E pra u mor vesh që shumica e Edi Ramës ishte kundër propozimit të opozitës për rritjen në 94 të numrit të bashkive, por sido që të ish ai duhej domosdoshmërisht ta kalonte atë për votim në seancë parlamentare.
Nuk ka rastisur kurrë, asnjëherë, që projekt-raportet e një komisioni parlamentar bipartizan të kenë arritur deri në seancë plenare debati e të mos kalojnë në proçedurë votimi.
Pas miratimit pa konsensus të reformës administrative-territoriale më 2014, i njëjti kryeministër 8 vite më vonë, ndërsa pritej të korrigjonte vetveten përdori përsëri diktatin mbi shumicen e tij parlamentare dhe shpërdoroi vullnetin e mire të opozitës dhe angazhimin e partnerëve tanë strategjikë duke e injoruar mbi të gjitha nevojën e ngutshme që kishte vendi për një reformë territoriale konsensuale, në dobi të qytetarëve dhe sa më e qëndrueshme në kohë.
Është fakt që Edi Rama asnjë moment nuk i orjentoi të vetët në komision ta merrnin seriozisht punën e korigjimit te territoriales. Thënë kjo, deputetet nuk patën as minimumin e dëshirës dhe detyrimin për ta shkelur vetë territorin për të marrë opinione dhe mendime qytetarësh apo për tu njohur nga afër me traditat kuturore dhe ekonomike të krahinave dhe zonave që pretendohej ti shtoheshin hartës së bashkive. Shtojmë këtu ndërsimet publike intimiduese të Taulant Ballës që me shejtan-budallallëkun e një të keq përdoruri ende pa u hartuar draft-raportet herë deklarohej kunder korrigjimit të hartes së bashkive dhe here here shtrinte doren e bashkpunimit për rishikim të propozimeve të opozitës. U fol koridoreve të kuvendit se ky qendrim evaziv i Edi Ramës ndaj reformës territoriale duke e lënë atë edhe pa e votuar fare kushtëzohej me marrjen e një konçensioni të rëndësishëm prej ndërkombëtarëve, siç është moskundershtimi nga ana e tyre i nismës së shumëkontestuar të qeverisë për amnistinë fiskale.
Kryeministri me pushtetin e vet absolut sado të mundë të sillet refuzues ndaj opozitës dhe dalës fjale me partnerët tanë strategjikë, në një moment të caktuar arroganca për të arritur fitore të vocka mund ta bëjë atë të ndihet triumfator, kostoja që do t’i japë vetes dhe qeverisjes së vendit në planin afatgjatë ka gjithë gjasat t’i rezultojë me pasoja shumë të rënda. Sidomos pas zhvillimeve të fundit me rolin dominant të partnerëve në implementimin e reformës në drejtësi nëpërmjet formësimit të SPAK dhe gjithë organeve të tjera të gjyqësorit, Edi Rama e ka edhe më të qartë se ç’fat mund ti rezervohet edhe atij vetë në një të ardhme të papërcaktuar në kohë. Mbase pikërisht më shumë prej kësaj dhe kompleksitetit të natyrës së tij paranojake përpara dinamikës së zhvillimeve të ditës gjen shpegim dhe droja e tij për t’i mbajtur gjërat pezull, përfshi dhe Reformën Administative Territoriale.