Një ngjarje e rëndë e cila ka ndodhur në kryeqytetin grek të Athinës është zbuluar së fundmi, ku një 33-vjeçar shqiptar akuzohet se ka mbajtur të burgosur një 23-vjeçare gjithashtu shqiptare, të cilën e shfrytëzonte për të lënë takime me meshkujt të tjerë kundrejt pagesës.
Sipas mediave greke ndaj tij rëndon akuza e trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se nga maji deri në gusht 2020, 33-vjeçari, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, e ka shfrytëzuar të renë përmes një agjencie takimesh.
I akuzuari dyshohet se ka “futur në kurth” viktimën, të cilës i është afruar si pronar i një klubi nate. Ai dyshohet se i kishte thënë se do t’i ofronte një punë, konkretisht se ajo do të punonte në klubin e tij të natës duke përfituar nga gjendja e saj e vështirë financiare.
Me pretekstin e mikpritjes ai e ka çuar atë në një apartament në Exarchia dhe e ka mbajtur pa dëshirën e saj, duke monitoruar plotësisht lëvizjet e saj.
Sipas burimeve policore 33-vjeçari e dërgonte të renë në 4 takime në ditë, për të cilat klienti paguante 150 euro, 50 nga të cilat i fitonte agjencia e takimeve. Sipas “marrëveshjes” origjinale 23-vjeçarja supozohej të fitonte 80 euro për takim, por 3-vjeçari ka mbajtur të gjitha paratë, duke fituar rreth 400 euro në ditë.
Takimet me klientët, të cilët i rezervonin përmes faqes së internetit të agjencisë, bëheshin në shtëpi dhe hotele.
Nga hetimet e kryera në shtëpinë e tij u gjetën dhe u sekuestruan shuma prej 6890 euro, makina me të cilën e kishte çuar në takime dhe një sasi e vogël kanabisi.
I arrestuari u dërgua në Prokurorinë Penale të Athinës, ndërkohë që vijojnë hetimet për pjesëmarrjen e tij në raste të ngjashme.