“… pra ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky vit që posa lamë pas është vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, tha ai të martën pas përfundimit të takimit që ka mbajtur me kryetarët e komunave.
Kur u pyet për planin franko-gjerman, ai ripërsëriti qëndrimin e tij se Kosova e ka konsideruar këtë plan si “bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme”, por tha se Serbia e ka refuzuar atë, dhe se tash do të duhet që “të gjithë të merren me ta”.
Propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së.
Më 11 dhjetor, Radio Evropa e Lirë raportoi se në këtë plan nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në dokumentin të cilin e kishte siguruar REL-i thuhej se elementet kyçe të këtij propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve janë: respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve
Në nëntor të vitit të kaluar, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se thelbi i planit franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, pasi që plani nis me faktin që Kosova është e pavarur.
Kurti tha gjithashtu se vizita e këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, është më shumë se e mirëpritur ngase vjen në një moment të rëndësishëm kur po afrohet njëvjetori i pushtimit rus të Ukrainës – i cili nisi më 24 shkurt 2022.
Chollet do ta vizitojë Kosovën më 11 janar, ndërsa Serbinë një ditë më pas./REL