Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se në vend po qarkullon gripi australian. Në emisionin “Open” në News24 ai u shpreh se ky grip është në një fazë rritëse
Sipas tij, gripi australian është më i fuqishëm se dy vitet e fundit për shkak se sistemi imunitar nuk e ka kaluar atë për të ndërtuar një përgjigje më të fortë.
Po ashtu Brataj tregoi kush janë simptomat dhe këshilloi se kur pacientët duhet t’i drejtohen mjekut.
“Pjesa më e madhe është gripi, është në fazën rritëse në vendin tonë, ndërsa në vende të tjera ka kapur pikun për shkak të motit. Ajo që rezulton është se kemi gripin australian, është i njohur, por fakti që dy apo tri vite nuk ka kaluar në sistemin imunitar prandaj nuk ka të njëjtën përgjigje ndaj tij. Organizmi është në një sulm të vazhdueshëm, por gripi është më i fuqishëm për shkak të sistemit të secilit këtë vit.
Gripi shfaqet që pas 24 orësh, me temperaturë të lartë, fillon me probleme si kolla e thatë, lodhja, të cilat janë të favorizua nga sezoni që jemi. Kemi ndryshime fiziologjike për shkak të lagështisë së ajrit, gjë që bën sistemin më të thyeshëm për virusin. Zgjat më shumë tek të rriturit, simptomat ngatërrojnë disi mes viruseve, fakti që kemi temperaturë nuk do të thotë që të vrapojmë.
Nëse në 3-4 ditët e para nuk ka kaluar mund të shfaqen komplikacionet, është e kotë të shkosh te mjeku, mjafton një këshillë nga mjeku, shpesh herë nuk kanë informacionet e duhura për përdorimin e ilaçeve”, tha ai.