BallinaKultureVera Ivanaj – në sofrën e natyrës dhe të artit

Vera Ivanaj – në sofrën e natyrës dhe të artit

spot_img
spot_img
Nga Luan Rama
Vera Ivanaj – në sofrën e natyrës dhe të artit
(Nga ekspozita e hapur dje në Maison d’Albanie në Paris)
Prej disa kohësh kam ndjekur me një interes të veçantë krijimtarinë pikturale të Vera Ivanaj, kësaj piktore, artiste plasticiene dhe universitare në kuadrin e shkencave të menaxhimit ku ajo këmbëngul gjithnjë në filozofinë e saj mbi rolin e të bukurës në transformimin e njeriut dhe të shoqërisë. Ngjan si një pinjolle e Umberto Eco-s në këtë traktat mbi të bukurën por dhe një krijuese e të bukurës çka duket në ekspozitat e saj të fundit që po i shohim me një kadencë ritmike. Siç duket ajo rend nga një ekspozitë në tjetrën dhe gjithnjë me tablo të reja. Një imagjinatë në lëvizje, një enegji e veçantë që e ka çuar në shtigje të ndryshme me seri që sjellin teknika të shumta dhe optika të reja. Siç duket, në punën e saj ajo ka bërë të vetën atë që ka thënë prej kohësh Pikaso : « Je cherche, je trouve », pra « Unë kërkoj dhe gjej ! » Piktura bëhet në frymëzim e sipër, ballë kavaletit, në paletën e ngjyrave dhe mbi telajo duke kërkuar në linjat, tiparet, ngjyrat njollat ekspresive të asaj që do të thotë artisti. Pikërisht në këtë hapësirë pikturale të pikturës së kavaletit dhe të vizatimit ajo ka kërkuar gjithnjë dhe 20 vitet e fundit kjo punë ka dhënë rezultatet e saj me një mori serish të ekspozuara në vende të ndryshme me subjekte të veçanta : bota e luleve në « Danse du vivant », « Fluiditeti i jetës », « Drejt Dritës » apo jeta urbane në botën e konstruksionit modern disi ideal apo dhe vizatimet në karakterin e karikaturës etj. Po, ajo kërkon, përvijon penelin, linjën, gjen dhe na transmeton të bukurën dhe atë sensibilitet të veçantë të jetës dhe të natyrës. Natyra ka shpirt, thotë ajo. E padyshim mjafton të vështrosh me vëmendje natyrën që të ndjesh në të pulsimin e jetës që gjallon, në gjenezë.
Ky lloj vështrimi i natyrës ka një fillesë. Vajza e Dokajve, Vera Ivanaj vjen nga Reshpa e Hotit të Malësisë së Madhe, nga burimet e kristalta, pyjet, flladet dhe dëbora e lartësive malore. Natyra ka qenë gjithnjë në limfën e saj, dhe është gjithnjë prezente. Studente dikur për ekonomi agrare, më pas, vite me rradhë ajo punoi si ekonomiste në kooperativën e Bajzës dhe më pas, rastësia e solli të ndjekë burrin e saj pos-universitar në Nancy çka hapi një faqe të re në jetën e saj. Natyra që ishte në shpirtin e kësaj vajze solli më pas dhe pasionin e ri të pikturës, kur një ditë, në një ekspozitë arti të « Qëndrës George Pompidou » në Metz, ajo u gjend përballë veprash të mrekullueshme. Dhe tronditja e saj ishte e madhe. Ishte një thirrje e brendshme që e përloti. Disa vizatime të Pikasos, « griboullis , sprova apo « croquis » bënë ti shfaqej ajo ndjesi që flinte brenda saj prej shumë kohësh : krijimi, piktura, ngjyra, linja, kompozimi, arti me fytyrën e jetës.
“Kudo ka lule për atë që do të shohë!”
Duke vështruar dhjetra e dhjetra tablo me temën e luleve krijuar vitet e fundit menjëherë të shkon mendja në thënien e famshe të Matisse : « Il y a des fleurs partout pour qui veut bien les voir ». Dy vitet e fundit të jetës së tij mjeshtri i madh i portretit dhe peizazhit iu kushtua luleve në kavalet apo me letrat që priste dhe i ngjyroste duke na ofruar një botë të mrekullueshme floreale gjer dhe « lulet e dëborës ». E ndërkohë unë shoh tablotë e Ivanaj dhe lumturohem e poetikën e veçantë, me kompozimet dhe botën e pasur kromatike. Janë lule që shfaqen para nesh, që tunden, vallzojnë, dëgjoj fëshfërimën e flladit në to dhe humbas në ngjyrat aq harmonike ku okra ngjizet e dialogon me të verdhën, blunë, të kuqen, ngjyra që ajo i preferon më shumë. Kam parasysh një tablo me katër lule të pikturuar nga Matisse. Kërcellet e gjata, pa gjethe, dhe në majë trëndafilë të çelur. Kuqëlojnë. Eshtë e kuqja e Matisse, madje ka dhe një lule me emrin « Henri Matisse ». Secili ka të kuqen e tij, Vera gjithashtu. Një seri të saj ajo e ka titulluar Drejt dritës » (Vers la lumière). Kërkimi i dritës është padyshim thelbësor në krijimtarinë e çdo piktori, madje dhe kur ato janë të errta, siç ndodh me fotografët ku është drita që vë ne pah objektet, portretet, imazhet që na rrethojnë. Në tablotë apo diptikët e saj, titulluar « tourbillon printannier », « celebration hivernale » ndjen aty të kalojnë stinët. Natyra përjeton rigjenerimin. Vjen pranvera dhe ja ku na shfaqet kurorëzimi i saj, « le sacre de Printemps » çka na sjell ehon e një muzike të Cajkovskit. Interesant është dhe seria « Fluiditeti i jetës » krijuar para disa viteve. Nuk është thjesht vetëm një kërkim estetik, por është gjithashtu dhe një fenomen natyre që artistja e sjell përmes tablosh. Eshtë fluja që shohim para apo pas shiut, afrimi i mjegullës, fluja poetike që na shfaq veç konture, figura disi të paqarta, fluja e mirazheve. Eshtë bukur të rikrijosh natyrën ndryshe. Të ngjan se kjo artiste vazhdon ta shohë natyrën në optika të veçanta, një kaleidoskop që ajo e ka brenda shpirtit, imagjinatës, gjumit dhe ëndrrës. Dhe fluja ka të njëjtin ekspresivitet : poetikën e figurave. Ivanaj e përvijon lidhjen e saj të fuqishme me natyrën, këtë lëndë të parë e të pazëvendësueshme, djep i të gjitha ngasjeve dhe krijimeve. Ajo jeton në periferi të Nancy-së. Përpara saj janë kopshti, pemët frutore, e gjelbërta e fushave, shiu, dëbora, shpërthimi i luleve, natyra shumngjyrëshe ngjizur në retinë e saj. Ajo mbjell farëra, fidanë dhe ja tek e sheh muaj më pas me shpirtrat e luleshtrydheve, mollët, rrushin, ftonjtë, domatet, specat apo patllixhanat e kopshtit. Natyra në duar dhe në tryezë. Natyra në shpirt Një jetë e bukur në sofrën e natyrës dhe të artit. « Kopshti i Edenit », titullohet një tablo e saj. Natyra në sytë e një Monet, apo Berthe Morizot qëm bante gjithnjë pranverën në shpirt, natyra në sytë e një Chagall që dehej në shëtitoret e Nice-s për tëp ikturuar “diej dhe lule”.
Qytetet e ëndërruar
Një nga seritë e preferuara të saj është gjithnjë ajo e konstruksioneve dhe e jetës urbane. Qyteti i saj i ëndërruar dhe i hedhur në telajo ka shumë dritë dhe ngjyra, shumë harmoni. Një qytet i ngazëlluer ku midis kontruksioneve moderne në botën e abstraksioneve gjen fytyra njerëzore, portrete fëmijësh, parqe lodrash, zogj, flutura, që vijnë sipër në hapësirë dhe ku në kompozimin e ofruar, gjen një lloj energjie të lëvizjes. Janë tablo të formatit te madh, destinuar për tu vendosur në faqe mureh të mëdha, në holle institucionesh, galerish, bankash, mediatekash e bibliotekash, në faqe të mëdha ndërtesash e pse jo dhe në mjediset familjare. Kur sheh lulet e saj dhe në tërësi pikturën dekorative, ke dëshirë ti shohësh në dimensione akoma më të mëdha, pra duke tejkaluar formatet e deri tanishme pasi në këto tablo njeriu urban gjithnjë në lëvizje dhe dinamikë gjithnjë e më të madhe gjen aty prehje, kënaqës, ndjesi poetike, një pikturë që të shlodh nga stresi i të përditshmes. Të integrosh bukurinë e natyrës brenda arterieve të një qyteti modern nuk është e lehtë, por në të njëjtën kohë dhe e domosdoshme. Dhe njeriu urban ka shumë nevojë për të. Në këtë rast do të duhej që vepra e saj të tregohej në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë që publiku shqiptar ta njohë më nga afër këtë piktore që na ofron kaq shumë dritë, poetikë, thjesht të bukurën për të cilën kemi aq nevojë, aq i domosdoshëm në formimin e njeriut dhe transformimin e shoqërisë. Po, arti ka një veprim të fuqishëm social, një art i tillë është frymëzues për ta parë jetën ndryshe, për ta dashur dhe mbrojtur natyrën pasi ajo është burim i një jete të shëndetshme dhe estetike. Padyshim që në të ardhmen kjo piktore do na zbulojë gjendje e optika të reja, tepër personale. Nga ëngjëjt e saj të pikturuar mbase një ditë vështrimi do i të zbresë drejt asaj toke të butë dhe të ashpër, me kromatikën e qindra toneve të ngjyrës kafe, ku lind dhe krijohet gjithçka, ku bulëzimi është një nga fenomenet më ngazëlluese. Pikërisht aty vdes dhe rilind jeta !
Ekspozita e Vera Ivanaj u hap me koncertin e një trio muzikantësh, me një andante allegro interpretuar nga Virak Schhour (piano), Madelene Zang (trombë) dhe Alekxandre Schhour (violinë) që ngjizej aq bukur me atmosferën plot ngjyra e dritë të pikturave. Po kështu, në emër të qendrës, piktori Zamir Mati i dhuroi piktores një album mbi traditën e pikturës shqiptare (1883-1944) ku flitet ndër të tjera dhe për femrat piktore në historinë e pikturës shqiptare si me motrat Zengo, Kristina Hoshi, etj, përvijuar më pas nga Safo Marko e shumë të tjera, në gjurmët e të cilave ecën sot dhe piktorja Ivanaj.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular