BallinaKryesoreRama, shkatërruesi i shtetit të së drejtës

Rama, shkatërruesi i shtetit të së drejtës

spot_img
spot_img

Nga BUJAR LESKAJ

Rama në qeverisje, sipas qasjes së mbretit absolutist francez Luigji XIV “Shteti jam unë!”, i ashtuquajturi “Lider Global” ka kryer shkatërrimet e mëposhtme të shtetit të së drejtës, me pasoja të pallogaritshme në minimin e garantimit të mirëqenies së qytetarëve dhe të demokracisë në Shqipëri:

1. Asgjësues i shtetit të së drejtës në Shqipëri. Me aferën McGonigal, tashmë Rama është futur në altarin e zi të shkatërruesit numër një të shtetit të së drejtës dhe demokracisë shqiptare, si dhe të minuesit të imazhit të shtetit shqiptar nëpër botë, duke e paraqitur atë si aventurier dhe korruptues të zyrtarëve të lartë të vendit më demokratik dhe të fuqishëm të botës. Asnjë Kryeministër i shteteve anëtare të NATO-s nuk është përfshirë më parë në korruptimin e një zyrtari të lartë të kundërzbulimit amerikan, përmes takimeve të drejtpërdrejta me të dhe përdorimit të parave të një ish agjenti të sigurimit komunist të vendit të vet, për ta joshur zyrtarin e FBI-së që ta ndihmojë të shkatërrojë opozitën e vendit të vet.

2. Nëpërkëmbës dhe keqpërdorues i rolit të Parlamentit të Shqipërisë. Rama e ka shndërruar Kuvendin në një noter të rëndomtë të tekave të veta, duke e degraduar në nivelin më të ulët të mundshëm tempullin e një demokracie dhe duke detyruar deputetët e Kuvendit të votojnë korrupsionin e tij. Për të, deputetët e pozitës dhe të opozitës nuk janë asgjë tjetër, veçse idiotë të dobishëm. Për t’i shpëtuar përgjegjësisë nga skandali McGonigal, Rama injoron dhe nëpërkëmb detyrimin kushtetues të ngritjes të një komisioni hetimor parlamentar.

Pseudo “Lideri Global” paraqitet edhe si keqpërdorues i Kryetares së Kuvendit, duke e detyruar, nën trysni, që të dalë nga pozicioni i saj, duke shkelur rregullat e Parlamentit dhe duke përjashtuar 17 deputetë të opozitës, disa prej tyre dhe për herë të dytë, vetëm që interpelanca me kryeministrin për skandalin McGonigal të mos bëhet. Njëlloj si Luigji XIV, Rama ua bën të qartë qytetarëve të vet dhe botës mbarë se ai qëndron mbi ligjin dhe nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet ligjit, se është ai që vendos se deri ku mund të shkojnë kufijtë e të bërit opozitë, se ai ka moralin dhe fuqinë të caktojë kufirin se deri ku mund të jetë i kritikueshëm. Shkurt, Rama, jo Parlamenti, është vetë ligji!

3. Blerës i paskrupullt i zgjedhjeve të 25 prillit 2021, duke përdorur patronazhistët, si dhe duke komprometuar Operacionin Forca e Ligjit(OFL), përmes përdorimit gjatë fushatës zgjedhore, të elementëve me të kaluar kriminale dhe mafioze, si dhe të grupeve kriminale dhe mafioze. Manipulues i zgjedhjeve, duke fryrë qëllimisht organikën e OSHEE-s, AlbPetrol, dhe të gjitha sh.a.-ve të tjera shtetërore, nëpërmjet mijëra kontratave të përkohshme të punësimit, për t’i zhbërë këto kontrata dhe hedhur njerëzit në rrugë, sapo zgjedhjet mbaruan. Keqpërdorues i qindra tenderave shtetërorë për hedhje masive asfalti elektoral.

4. Kryearkitekt i kanabizimit masiv të vendit. Sipas Raportit të vitit 2022 për tregun e drogës në vendet e BE-së, të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga, “Shqipëria për disa vite ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”. Sipas gazetës amerikane “The Washington Examiner”, “Që kur Rama mori drejtimin e vendit një dekadë më parë, ai vend i vogël është kthyer në një vatër korrupsioni, plus narkoshteti kryesor i Evropës, me lidhje të thella me kartelet e drogës në Amerikën Latine. Blerja e zyrtarëve të lartë amerikanë si McGonigal është pjesë e mënyrës se si Rama vazhdon ta arrijë këtë”.

5 . Përgjegjësi i hemorragjisë së largimit masiv të qytetarëve nga Shqipëria. Në dhjetë vitet e fundit, sipas EUROSTAT, janë larguar rreth 720 mijë vetë. Kjo është e barabartë me boshatisjen e qarqeve të Fierit, Vlorës, Korçës dhe Kukësit së bashku. Shumica e të larguarve janë të rinj të grupmoshave 19-29 vjeç. Sipas EuroBarometrit, 74.8 për qind e grupmoshave 19-29 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe. Nuk ka iniciuar asnjë politikë të motivimit të të rinjve për të qëndruar në Shqipëri.

6. Frymëzuesi kryesor i ligjeve të qepura me dorë. Sipas “Transparency International”, Shqipëria evidentohet në ligje të përgatitura mbi bazën ekskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. T.I. përmend Ligjin për konces ionet dhe PPP-të, Ligjin e Investitorit Strategjik, Ligjin special për Teatrin, Ligjin për mediat audiovizive, Ligjin për lojërat e fatit, Ligjin për lotarinë kombëtare, VKM-në e kthyer në ligj për autostradën Milot-Balldren dhe VKM-në e kthyer në ligj për kompaninë “Air Albania”.

7. Nxitës kryesor i sjelljes në prag shkatërrimi të financave publike shqiptare, përmes kontraktimit të partneriteteve publik-privat(PPP), krejtësisht në dëm të parasë publike. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, “Kontratat koncesionare të tipit partneritet publikprivat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 për qind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe, Buxheti i Shtetit”.

8. Abuzues i nivelit më të lartë me pasuritë dhe asetet publike, duke keqpërdorur Ligjin për Investitorët Strategjikë. Mega-afera korruptive dhe e pastrimit të parave me miliarda euro, e projektit “Durres sea yachts & marine”, duke shkatërruar praktikisht portin tregtar 2700-vjeçar të Durrësit. Zhvendosja e portit kryesor të vendit në Porto Romano vjen me zerimin e Portit të Durrësit, nyjës strategjike dhe të pazëvendësueshme të transportit detar të vendit. Edhe procedurat koncesionare të portit të Vlorës po realizohen përmes kontratave dhe marrëveshjeve okulte, duke dëmtuar rëndë interesat e ekonomisë kombëtare dhe mundësitë e zhvillimit në të ardhmen të këtyre dy portave kryesore të vendit.

9. Arkitekt i dorëzimit të interesave kombëtare, duke rrënuar perspektivën e konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare, me pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur” të Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke izoluar Kosovën dhe ndihmuar indirekt depërtimin më të madh të interesave ekonomike dhe strategjike ruse në rajon. Rënie dakord me grekët, për ta adresuar çështjen e ndarjes kufitare detare me Greqinë në një gjykatë ndërkombëtare, duke dobësuar dukshëm pozitën kombëtare, në përcaktimin e ujërave të Shqipërisë sipas rregullave të mirëdefinuara të vijës bregdetare.

10. Kryearkitekt i instalimit të antikulturës së papërgjegjshmërisë në vend. Asnjë nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Pavarësisht se partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar me insistim rezultate në luftën kundër korrupsionit, brenda piramidës qeveritare, ndërkohë që institucione të pavarura të vendit kanë njoftuar për vite me radhë Kryeministrin për listën e zezë të nëpunësve të nivelit më të lartë, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Si përgjigje, “Lideri Global” i ka promovuar dhe ngritur në detyrë disa prej nëpunësve të akuzuar, si për t’u thënë “Vazhdoni korrupsionin pa frikë, madje abuzoni më shumë.”.

11. Frymëzuesi i konsiderimit të opozitës si armike. E ka kthyer fjalorin denigrues, sulmet verbale dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme, nga vetë i ashtuquajturi “Lideri Global”. Trajtimi i opozitës me urrejtje dhe si armike e betuar që duhet shkatërruar, me kryeskandalin McGonigal të korruptimit të zyrtarit të lartë të kundërzbulimit amerikan.

12. Uzurpues i të gjitha institucioneve të pavarura dhe (keq)përdorues i tyre. Rastet e zhvlerësimit kostant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të tyre janë të panumërta. Rasti ndër më flagrantët ishte ai i keqpërdorimit të Autoritetit të Dosjeve në sulmin e paprecedent dhe të turpshëm ndaj ishPresidentit të Republikës Ilir Meta. Trajtim të njëjtë të zerimit të pavarësisë dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit dhe imazhit të institucionit kanë pësuar rregullisht Enti Rregullator i Energjisë(ERE), sidomos në fund të shtatorit 2022, për vendimin e rritjes së çmimit të kilovat-orës, ose AMA, Autoriteti i Konkurrencës, etj.

13. Goditës selektiv dhe intimidues i mediave kritike. Nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj kompanive që i financojnë këto media.

Më 18 shkurt 2023, përfaqësuesja e Institutit Ndërkombëtar të Shtypit(IPI), Jamie Wiseman, deklaroi për agjencinë “Deutche Welle” se ka një kufizim të theksuar nga qeveria të hapësirave për marrje informacioni, krahas shifrës së 41.2% e rasteve të dokumentuara nga IPI të dhunës ndaj gazetarëve për vitin 2022, që në Shqipëri janë gjeneruar nga vetë Policia.

14. Denigrues dhe mohues i simboleve kombëtare. Për 10 vjet në pushtet, “Lideri Global” ka injoruar kërkesat dhe nuk ka bërë asnjë hap për vendosjen e përmendores sj& Ismail Qemalit në kryeqytet. Për kujtesë kohore, shtatoren e Ismail Qemalit e vendosi në Tiranë Prof. Dr. Sali Berisha në nëntor 2012, me rastin e 100 Vjetorit të Shtetit Shqiptar. Rama është autori i humbjes se identitetit te Sheshit të Flamurit në Vlorë , duke ia përgjysmuar sipërfaqen e tij, gjoja për rikualifikim. “Rikualifikimi” ka ndryshuar bazamentin e monumentit madhështor të Pavarësisë, duke e prishur bazamentin ekzistues dhe hequr katër topat, simbol të katër vilajeteve shqiptare. Ndërhyrjet në Sheshin e Flamurit, pa zhvilluar një konkurs ndërkombëtar për sheshin kombëtar historik të vendit dhe pa pyetur as edhe arkitektët e projektuesit e tij që janë gjallë, përbëjnë një goditje të rëndë të këtij simboli dhe vetëdijes kombëtare për vlerat tona historike.

15. Grabitës i Butrintit, përmes dhënies me koncesion. Nëpërmjet një ligji të qepur me porosi dhe të miratuar në Parlament, jep Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit të menaxhohet me koncesion, pa organizuar një tender dhe garë ndërkombëtare. Duke qenë se Butrinti sot nxjerr 1 milionë euro në vit nga biletat, ky biznes i shëmtuar, kjo formë krejtësisht e pazakontë dhe e paprecedent në Evropë, e dhënies me koncesion privatit të thesareve arkeologjike të vendit, përbën një goditje mizore dhe shkatërruese ndaj trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjes dhe zhvillimit të saj, në emër të pangopësisë së sektit Rama për fitime okulte.

* * * Sistemi që ka instaluar Luigji i 14-të i Shqipërisë, ose i ashtuquajturi “Lider Global”, me Shtet tërësisht të kapur, me institucione të pavarura të kapura nga ekzekutivi ose të shurdhuara në oponencën e tyre, me shoqëri civile të kapur në pjesën më të madhe të saj dhe me opozitën e profilizuar si armike dhe të demonizuar, me mediat nën trysni e shantazh të përditshëm, është e pamundur të shkatërrohet nga përbrenda qeverisjes së sotme.

Sekti Rama nuk mund kurrsesi të luftojë korrupsionin, sepse është alter-ego e tij. Është i ngjizur, i identifikuar plotësisht me korrupsionin dhe mbahet në pushtet e gjallon vetëm nëpërmjet aferave korruptive dhe kapjes së shtetit.

Më 14 shkurt 2022, Ministrat e Financave të Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian rikthyen Shqipërinë në listën e vendeve që duhet të mbahen në monitorim për çështje fiskale, një goditje tjetër kjo për “Liderin Global”, që dëshiron të bëjë amnisti fiskale dhe penale, pavarësisht kundërshtive të partnerëve tanë perëndimorë.

Shteti shqiptar dhe qytetarët e tij kanë sot një qeverisje sekti, që do të vijojë të shmangë llogaridhënien dhe transparencën, si të vetmet mjete efektive për të dekurajuar korrupsionin dhe prosperuar vendit dhe qytetarët e tij. Kanë një sekt të panginjur në pushtet, që do të vijojë t’i gënjejë e t’i shfrytëzojë pa mëshirë, me në krye Ramën, shkatërruesin e shtetit të së drejtës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular