Nga Mina HYSA
Shqipëria është sot në ditën më të zezë të saj. Të gjitha pushtetet i ka në dorë mazhoranca dhe problem nuk është thjesht se i ka në dorë, por po sillet shumë keq me to.
Shqiptarët varfërohen çdo ditë, e në këto kushte në vend që të rrëzojnë regjimin monist siç dhe artikulohet nga segmente të politikës, e në fakt i tillë është, ia fusin vrapit për t’u larguar jashtë vendit qofshin beqarë apo familjarë!
Ikin për një jetë më të mirë dhe të gjendur përballë pamundësish për të ndryshuar së pari gjendjen e tyre familjare e rrjedhimisht dhe Shqipërinë! Ata që ikin janë të bindjeve të ndryshme politike, por arsyet e largimit janë të ndryshme e sigurisht që pjesa dërrmuese janë opozitarë të regjimit!
Largimi i opozitarëve është problem dhe shqetësimi real kjo e lidhur me një sërë arsyesh!
Eshtë absurde fakti që prej 10 vitesh qeverisja e PS drejton Shqipërinë megjithëse e zhytur në korrupsion dhe skandale të pafundme. Përpos argumenteve që në vend nuk ka zgjedhje të lira dhe të drejta, mosreagimi i shqiptarëve për të votuar kundër masivisht, apo për të iu përgjigjur një kërkese për rrëzimin e kësaj qeverie qoftë dhe me revolucion i artikuluar së fundmi ka disa pikëpyetje së cilave iu duhet dhënë një përgjigjie së pari nga klasa politike!
Nuk mund të akuzojmë shqiptarët si të paaftë, të gjunjëzuar përballë regjimit sepse kjo do të ishte e tepërt për mua apo çdokënd që mund ta artikulojë!
Mospërgjigjia masive e shqiptarëve për të mbushur sheshet, qëndruar aty pa lëvizur, paralizuar jetën publike me mosbindje civile, siç ndodh kudo në perëndim apo qoftë dhe vendet fqinje si Greqi si zemërim ndaj qeverisë, apo mospërgjigjia sa duhet ndaj opozitës shqiptare lidhet me mosbesimin që gjërat në këtë vend do të ndryshojnë rrënjësisht me këtë klasë politike. Shqiptarët prej rënies së komunizmit kanë pasur para syve të njëjtët fytyra, të njëjtët lider si ofertë dhe nga humbja në fitore apo fitorja në humbje. Në mungesë të një oferte të re politike serioze larg së shkuarës së tranzicionit sic duket i ka lodhur qytetarët të cilët i bien shkurt dhe zgjedhin rrugën e emgracionit madje duke rrezikuar dhe me gomone si në vitin 1990 teksa binte diktatura.
Në vitin 2007 u gjenda në Egjipt me disa kolegë gazetarë dhe punonjës të Ministrisë së Jashtme në një kurs diplomacie, një vend i botës arabe ky që këtë fushë të politikës së Jashtme e njeh mirë. Ndër zyrtarët dhe diplomatët e karrierës që referonin të cilët ishin shkolluar dhe në SHBA dhe ishin nxënës të Colin Poëell apo Madeleine Albright, njërit prej tyre prej nesh ju bë pyetja: – “Si ka mundësi që Egjipti me marrdhënie të mira ndërkombëtare në fushën diplomatike nuk është ndër vendet shumë të zhvilluar?”.
Përgjigjia e tij ishte krejt e shkurtër dhe e saktë: – “Sepse ne ende ushqehemi me të shkuarën, nuk shohim drejt të ardhmes!” .
Besoj Shqipëria është në këtë pikë! Ne ende flasim për Revolucionin e studentëve të ’90 i cili u mor nën kontroll dhe pjesa më e madhe e atyre studentëve u larguan apo dhe ata që qëndruan nuk u qasën drejt pushtetit. E ndërsa sot artikulohet dhe kërkohet revolucion, një reagim qytetarë si në vitin ‘90 mungon! Arsyeja është sepse mungon një ofertë e re politike nga aktorë të rinjë dhe të besueshëm. Të njëjtët aktorë të 30 viteve përbetohen se do ta ndryshojnë Shqipërinë, ta bëjnë pjesë të BE, kur kanë pasur mundësinë ta bëjnë, e kjo duket e tepërt për qytetarët të cilët në vend që të mbushin sheshet, mbushin gomonet! Kjo është tragjike! Klasa politike e 30-viteve po reziston dukshëm dhe as ka më të voglën dëshirë për tu larguar, krijuar mundësi të reja rinisë për të sjellë qasjen e saj të një Shqipërie ndryshe. Kjo klasë politike përmes interesave financiare të konsoliduara direkt apo indirekt përmes biznesesh dhe mediash krijon opinion dhe frymë politike në banaqet politike dhe mediave në dobi të interesit të tyre. Kjo ka sjell konsolidim të pushtetit të tyre në qeveri dhe opozitë, por ama largim të qindra mijëra shqiptarëve gjatë këtij tranzicioni dhe së shumti këto 10-vitet e fundit. Shumëkush mund të thotë, kush e ndalon rininë të organizohet, të ngrihet ta ndryshojë Shqipërinë? Edhe kjo e ka përgjigjien; sepse në një vend kaq të vogël, kur interesat e politikës së tranzicionit janë të mëdha, reagimi do të jetë direkt për të mos lënë as më të voglën hapësirë. Presionet do të jenë nga më të ndryshmet kur bëhet fjalë për një vend ku luftohet për të siguruar copën e bukës, e ato nisin nga denigrimi duke të kundërvënë të tjerë të rinjë partiakë fanatikë, presioni nga prindërit që janë në punë etj. Sa për ilustrim kjo ndodhi me një protestë studentore shembullore e cila u sabotua rrugës, apo një politikan që nisi ta bëj një gjë të tillë dhe aty mbeti gjëja, ishte Lulzim Basha i cili guxoi të pezullojë liderin historik të PD Sali Berishën pas shpalljes “Non grata” nga SHBA aleati ynë strategjik, dhe artikuloi fjalinë “trekëndëshi i Bermundës”, kuptohet nën çfarë presioni u vu! Reagimi ishte i menjëhershëm jo vetëm i së shkuarës në PD, por dhe të gjithë klasës politike. Sa i përket Bashës ai nuk duhej të mjaftohej vetëm me qasjen politike të re si alternative të shkruar bukur, po të kishte bërë më shumë në ofrimin e rinisë e atyre kontribuesve ndër vite të PD që vetëm kishin sakrifikuar gjithnjë në opozitë duke dhënë kontributin e tyre për një Shqipëri më të mirë. Por a u pengua për këtë? A iu orientuan burime njerëzore të kontrolluara nga te tjera kanale? Disa e dine te vërtetën e të tjerë do e mësojnë rrugës.
Partia Demokratike ka mjaft burime njerëzore pjesë të saj, Shqipëria ka mjaft të rinj dhe të reja të papërfaqësuar në asnjë parti të cilët duhen evidentuar, duhen ofruar, duhen angazhuar për të dhënë më të mirën e tyre për një Shqipëri Europiane siç studentët e Dhjetorit ’90 e kërkuan. Eshtë përgjegjësi direkte e Lulzim Bashës në rast të kthimit sërish të tij aktiv në politikë dhe krye te PD që të realizojë një gjë të tillë ku të përputh idetë politike zhvilluese dhe europiane me njerëzit që i realizojnë. Vlerësimi i meritave të një individi përmes kulisash, komisionesh, apo rekomadimesh si detyrime të X, apo Y personi apo politikani, për karrierë nuk do të ishte thjesht një gabim për një forcë politike dhe rastin konkret PD që kërkon pushtet, por për Shqipërinë! Për kohë të reja ka nevojë ky vend! E ndërsa kërkesa e studentëve të Dhjetorit, të historisë së PD dhe Shqipërisë, me thirrjet: -“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” nuk u mundësua edhe për faj të tyre, ata duhet që të iu hapin rrugë fëmijëve të bëhen pjesë e një revolucioni si baballarët e tyre, pa ata nëpër këmbë, që këtë ëndërr të tyre ta bëjnë realitet! Artikulimi i fjalës “Revolucion” sot me njerëz në shesh ku mosha mesatare është 60 vjeç, mbetet thjesht një utopi. Kjo shihet thjesht dhe në organizimet e opozitës ndaj që të arrihet qëllimi nevojitet të mos mbetemi peng e së shkuarës. Të mburremi me historinë kur ajo na bën krenare, por vetëm kaq, por duhet parë drejt të ardhmes dhe ardhmja i përket rinisë së këtij vendi që për fat të keq po ia mbath! Një qasje e re politike si alternativë, me të rinjë në moshë dhe ide jo thjesht nënprodukte të byrosë politike të re dhe të vjetër, është jetike.
Duke u mburrur me të shkuarën, duke ne mbatur ora atje, thjesht do të ushqehemi dhe jo zhvillohemi. Sot koha është për tjetër ritëm. Klasa politike është mirë ta kuptojë vet të mos e mbaj peng Shqipërinë, sa nuk është vonë të krijojë hapësira të reja ku fundja të mos jenë as nënprodukte të tyre duke i mbajtur nën kontroll edhe pse gjasmë të tërhequr. Nëse do ta bëjnë vet kjo klasë politike do ishte në nderin e tyre, nëse edhe kjo do të na vijë nga SHBA sikurse në vitin ‘90, atëherë llogaridhënia për mbajtjen peng të Shqipërisë duhet të jetë kryefjalë për çdo politikan shqiptarë majtas apo djathtas, i një partie të vogël apo të madhe. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë.
Përgjigjia që mora nga diplomati i huaj në 2007, “Revolucioni” i ’90, ai i sotëm dhe e ardhmja e Shqipërisë
RELATED ARTICLES