“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ranë dakord të martën se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Kurti, tha se në takimin në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u pajtuan për përmbajtjen e propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.