Një aksident i rëndë ka ndodhur në dalje të qytetit të Beratit. Gazetarja Eneida Petova bën me dije se një mjet ka goditur një këmbësor dhe pasi e ka tërhequr zvarrë disa metra, e ka lënë të shtrirë në rrugë dhe është larguar nga vendngjarja.
I plagosuri Arben Kanaçi, 40-vjeç, është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit në gjendje të rëndë, për shkak të plagëve të shumta të marra në trup dhe në kokë.
Burimet spitalore bëjnë me dije se 40-vjeçari do të transportohet me ambulancë drejt Spitalit të Traumës, për një ndihmë më të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që disa patrulla u vunë në ndjekje të mjetit përgjatë aksit nacional Berat-Dimal, nga ku sipas dëshmitarëve ishte larguar mjeti pasi përplasi 40-vjeçarin.
Mjeti tip kamionçinë u kap nga patrullat e policisë në Moravë, ndërkohë që Artan Eskiu, drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin u ndalua dhe u shoqërua në polici.