FIFA prezanton strukturën e Kupës së Botës 2026 që do të luhet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kohë më parë u zyrtarizua zgjerimi i formatit me 48 skuadra ndërsa tashmë mesohet edhe formula në bazë të të cilës do të funksionojë kompeticioni më i ndjekur dhe spektakolar i planetit.
Katar 2022 ishte botërori i fundit me 32 skuadra sepse tashmë me 48, evenimenti do të luhet mes 12 grupeve me nga 4 skuadra. Në fazën tjetër do të kualifikohen 2 të parat e çdo grupi dhe 8 të tretat më të mira.
Kongresi i 73-të i FIFA-s u zhvillua në Kigali të Ruandës ku anëtarët aprovuan formatin e ri të Kupës së Botës dhe Botërorit të Klubeve që do të zhvillohet çdo vit duke nisur që nga 2025-a.
Botërori 2026 do ta luajë finlen në datën 19 korrik ndërsa në total numri i ndeshjeve do të jetë 104, 40 më shumë se formati i vjetër. Lojtarët duhet të bashkohen me skuadrat e tyre në datën 25 maj, datë brenda së cilës duhet të jenë mbyllur të gjitha kampionatet dhe kupat në planet.
Edhe faza me eleminim direkt do të tërhiqet me një raund pasi nëse deri tani menjëherë pas grupeve jane luajtur 1/8 por tashmë do të luhen 1/16, çka do të thotë se skuadra që do të çojë kupën do të luajë 8 dhe jo 7 ndeshje. Një skuadër pjesëmarrëse do të luajë minimalisht tre ndeshje dhe pushimi mes ndeshjeve do të jetë pothuajse i njëjtë për çdo ekip.
Duke nisur që nga 2026 dhe në vitet që do të ketë botëror apo europian, ndryshon edhe kalendari i ndeshjeve ndërkombëtare të kombëtareve që do të kenë dy dritare të lira për miqësore në mars dhe qershor dhe një datë të lirë në shtator dhe një në tetor. Ky vendim bie ndesh me klubet që në muajt shtator dhe tetor do të bëjnë pa lojtarët e tyre nga Amerika e Jugut.