Ish lideri i PD, Sali Berisha ka vijuar prezantimin e kandidatëve të tij për zgjedhjet vendore të 14 majit. Këtë herë ai është ndalur në Kamëz, nga ku kërkoi besimin dhe votën e qytetarëve në emër të kandidatit Arjan Hoxha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal dhe tek gabimet që PD ka bërë në rrugëtimin e saj duke thënë se nuk i mohon, por punon për t’i përmirësuar.
Ndonëse nuk iu përgjigj ofertës së Alibeajt për unifikim të kandidatëve, Berisha thekson se kjo forcë mbetet e bashkuar.
“Sot Arjan Hoxha dhe të gjithë kandidatët e PD-së, nuk janë kandidatë të kryetarit të Partisë, apo kryesisë saj, janë kandidatë tuaj, të vullnetit të lirë, të besimit tuaj dhe ju garantoj unë ju se kjo përbën një nga standardet më të mira ku ekziston sot kudo në botë.
Këto primare, si të parat që ishin absolutisht nuk ishin të përsosura, kishin defekte, të meta të padiskutueshme. Por kjo parti është e tillë, nuk mohon kurrë gabimet që bën, përkundrazi i merr ato i përmirëson, i korrigjon dhe bën gjithçka me besimin më të madh se rruga e nisur është rruga më e mirë, se kjo mënyrë kandidimi dhe zgjedhje është më e mira, më dinjitozja është rruga e lirisë.
Pat nga ata që menduan se ky proces do të na përçajë, ja ku jemi sot, të bashkuar të gjithë, ata që kandiduan, ata që votuan ndryshe, njerëz që i besojnë lirisë, që bashkohen për një qëllim, dua të ju shpreh mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre që i janë bashkuar sot këtu për qëllim, për Kamzën demokratike, për fitoren e lirisë”, tha ai.
Në fjalën e tij para qytetarëve të Kamzës, ish lideri i PD nuk la pa përmendur dhe kundërshtarin direkt, Partinë Socialiste. Ai akuzon kryesocialistin Rama se ka vjedhur paratë publike dhe ka kthyer vendin në monizëm.
“Sot kjo betejë është një betejë më e rëndësishmja e zhvilluar në Shqipëri që nga viti 1992. Në vitin 1992 ne së bashku përmbysëm monizmin stalinist 45-vjeçar. Monizëm që u krijoi shqiptarëve dhe Shqipërisë katastrofën më të madhe politike, sociale dhe ekonomike. Por sot përsëri pas 32 vitesh, Edi Rama ka përqendruar në duart e tij, 10% më shumë pushtet seç kishte diktatori komunist në vitin 1992.
Monizmi është dramë, është tragjedi për çdo komb, monizmi, ky pushtet i përqendruar në dorën e një njeriu dhe të një sekti që quhet Rilindje, po largon shqiptarët çdo ditë, më shumë se çdo pushtues në një vend tjetër. Më shumë se çdo luftë civile, më shumë se një luftë rajonale, po i largon nga Shqipëria.
Kamza, Tirana, Shqipëria sot ka humbur gjatë këtyre 8 viteve mbi 1 mln banorë, ka humbur 35%, 1/3 e popullatës. Të gjithë ne së bashku jemi 1/3 më pak, se njerëzit tanë janë larguar, largohen nga ky vend për arsye se nuk ndërtojnë jetën e tyre”, tha ai.
Nga ana tjetër, PD zyrtare ende nuk ka dalë në një qëndrim përfundimtar mbi mënyrën e garimit në zgjedhjet vendore të 14 majit.