Doktor, lëri djemtë të kthehen në shtëpi!
I nderuar z. Berisha,
Nga dita kur vendosa të kapërcej pragun e politikës, nuk na e ka dhënë rasti as të ndeshemi për t’u përshëndetur, as të pimë një kafe. Mbase duhet ta kisha bërë unë, por ngjarjet ndodhën aq shpejt sa shumë prej tyre luajtën bukur mirë me durimin dhe padurimin tonë. Madje asisoj, sa nga sjellja e disa prej njerëzve të rrethit tuaj, e kam pasur shumë të vështirë të përtyp disa tokla të rënda. Fundja idhnake jam edhe unë, shqiptare jam edhe unë. Me këtë nuk po ankohem, por po shpjegohem.
Kur ju jeni pezulluar (përkohësisht) nga grupi parlamentar, ka qenë dita ime e parë e punës dhe nuk kam ditur të mendoj atë që mendoj sot: se mund të ishte gjetur një zgjidhje më e butë e situatës dhe sot të mos ishim aty ku jemi, quazi të ndarë.
E kam admiruar forcën dhe energjinë tuaj njerëzore të këtyre muajve të fundi, por jo fjalët dhe emocionet politike, të cilat e thelluan hendekun e ndarjes. As baltën ndaj të tuve, politikanëve që i rrite dhe i promovove vetë dhe për të cilët duhet të keni edhe përgjegjësi politike nëse iu dolën kallp demokratëve.
Duke shqyrtuar nga larg, më është krijuar bindja se sa kohë pjesa e lidershipit rreth jush, përulen, nuk bëzajnë, binden dhe vrapojnë të zbatojnë dëshirat, ose urdhërat, tuaj, ata janë të mirë. Përndryshe, të gjejnë vrimë ku të futen.
Kështu po ndodh edhe tani: të bindur, politikanët përreth tuaj, një pjesë e të cilëve i çmoj shumë, kanë vendosur të mos ju lëndojnë, edhe pse e dinë se nuk u siguroni fitore, qoftë edhe për një arsye fare të thjeshtë: një pjesë e partisë – e vogël, e madhe për të siguruar fitore – nuk është me ju.
Kështu po ndodh edhe me kandidatët për kryetarë bashkie, shumicës prej tyre ka filluar t’iu kruhet lëkura kur mendojnë se janë kandidatë të së majtës.
Demokratët u vranë, u prenë, u shanë, u lënduan për muaj e muaj mes vedi, vetëm për emrin tuaj. Kjo ju ngarkon me detyrim dhe përgjegjësi, dhe ju kërkon t’ua ktheni me dashuri dhe sillë mirëkuptimi.
Kush është fajtori? E ç’rëndësi ka tani fajtori? Nuk po hyj ta analizoj gjatë se si erdhëm deri këtu, por jam e sigurtë se të gjithë kemi nga pak, a nga shumë, faj.
Tani, në fundin e fundeve shihen vetëm plagët – dhe ato dhembin.
Si do t’i shërojmë ato kur tani na duhet të gjejmë shpëtim tek e majta?! E pra, lideri që udhëhoqi të djathtën, sot po u kërkon të djathtëve të përfaqesohen si të majtë, të bëjnë fushatë si të majtë, të kërkojnë vota majtas për një kinse të djathtë. Mos, Zot, ma keq!
Tani jemi në zgrip. Nëse do të ndahemi tani, varet vetëm prej jush, por ju siguroj se demokratët nuk e duan këtë. Ata që kanë vendosur t’ju ndjekin, do t’ju ndjekin, duke e besuar si shpëtimtar “Mesian e rremë” që është mitizuar mes nesh, fjala e të cilit na rri si gijotinë, inati i të cilit na derdh pikëllim. Kështu do të jemi në dy kampe të ndarë e vetmitarë, për shkak të hendekut që krijuam, për shkak të baltës që hodhën ndaj njëri-tjetrit me fjalor të mbushur me “pengje” e “pengmarrje”.
Ata, “pengmarrësit”, nuk janë zotë të Partisë Demokratike, por vetë demokratët, të gjithë bashkë, edhe ata që tani do të garojnë, për fat të keq, majtas. Ne kemi bërë disa eksperimente të tilla dhe në të gjitha herët kemi dështuar me sukses.
Si ta pengojmë që kjo të mos na ndodhë? Si t’i shpengojmë demokratët e palëve nga ndarja dhe të bëhemi një? Si ta shpëtojmë Partinë Demokratike – emblemën, përkushtimin, gjakimin e demokratëve – nga shkatërrimi që po përgatitet edhe nga ustallarët e majtë? Këto ditë kam ndeshur dhe dëgjuar shumë demokratë që këtë çast e shohin si ndarje përfundimtare të Partisë Demokraike, dhe kanë filluar madje ta pranojnë këtë. Unë ende jo, dhe do të përpiqem që të mbetet jo!
Çfarë do të fitojmë po të shkatërrojmë Partinë Demokratike të gjithë bashkë?
Këto zgjedhje po kthehen në Vaterloja jonë dhe në Edeni i një regjimi që po ua merr frymën shqiptarëve.
Nëse ju nuk i lejonin ata të kthehen në shtëpinë e tyre, ka vetëm një rrugë. Ne të tjerët të mos ia lejojmë vetes:
As të jemi alibia juaj!
As të përplasim demokratët në bazë!
As të shkatërrojmë Partinë Demokratike!
Ne duhet t’i ndihmojmë kandidatët tuaj të mbrojnë Partinë Demokratike, që të kthehen kurdo nga plangprishja ku kanë hyrë mbase të diktuar nga situate ku jemi.
Lëri djemtë të kthehen në shtëpinë e tyre, doktor! Është mundësia e fundit, dhe atë e keni ju në dorë.
Këto fjalë nuk janë mustardë pas darke, por trishtimi im për demokratët dhe të djathtën që dua.
Ndaj, kisha nevojë ta ndaja sot!
25 mars 2023
Fotoja, 17 maj 2010