Nga Erl Kodra
Kriza në Partinë Demokratike ishte e parashikueshme, që kur kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit e shpalli Sali Berishën person non-grata. Sigurisht, ky nuk ishte një lajm i mirë për asnjë demokrat. Tre ditë pas 9 Shtatorit u pa qartë se Sali Berisha nuk do të ndalonte para asgjëje, dhe se nuk do të pyeste për interesat e askujt, por vetëm për interesat e tij. Për fat të keq, ai mori mbështetje të gjerë mediatike, ekonomike dhe politike, brenda dhe jashtë Partisë Demokratike, madje edhe pushtetit të Edi Ramës.
Nëse u kthehemi kronikave dhe orëve pafund të programeve televizive që janë shpenzuar në funksion të Sali Berishës, personazheve mediatik dhe opinion-bërësve që e mbronin atë, kuptohet qartë se çfarë ka ndodhur përgjatë gjithë këtyre muajve. Më interesantja është se sa lehtësisht anashkalohej fakti se Sali Berisha është shpallur person non-grata nga Shtetet e Bashkuara, thua se po flasim për principatën e Liechtenstein, dhe jo për fuqinë më të madhe politike, ekonomike dhe ushtarake në planetin Tokë.
Përfundimisht, Sali Berisha nuk u mendua dy herë për fatin e qindra mijëra demokratëve dhe të Shqipërisë, se aktet e tij po e shkatërronin Partinë Demokratike, dhe se vendi do të mbetej pa opozitë. Do të mjafonte ky fakt që Sali Berishës t’i vihet përfundimisht një vizë e zezë, si një person që sakrifikon interesat e vendit për të mbrojtur interesat e tij. Partia Demokratike nuk kishte arsye për të marrë asnjë kosto për shkak të Sali Berishës, dhe se interesat e shqiptarëve nuk kanë asnjë lidhje me interesat personale të një njeriu të vetëm, qoftë ky edhe Sali Berisha. Tek e fundit, çfarë kërkonte ky njeri më shumë nga Partia Demokratike? A nuk kishte qenë dy herë President dhe dy herë Kryeministër? Çfarë i duhej atij Partia Demokratike, përveçse një mburojë politike?
Dinjiteti?!
Pse, dinjiteti i demokratëve përfaqësohet vetëm nga dinjiteti i Berishës, dhe jo nga dinjiteti i gjithsejcilit?
Pse u dashka lidhur fati i disa qindra mijëra demokratëve me fatin e një personi të shpallur non-grata, kur dihet se cili do ishte fundi i historisë? Kaq e vështirë ishte për ta kuptuar lojën e pisët që është luajtur që prej 9 shtatorit 2021?
Nga ana tjetër, ata që e kundërshtuan Berishën dhe aksionin e tij politik për ta përdorur opozitën shqiptare në funksion të interesave të tij, e gjetën veten në një situatë linçimi dhe sulmesh përçudnuese. Përpjekja për të mbrojtur Partinë Demokratike nga përçarja nuk funksionoi për shkaqe komplekse, që përfshijnë një shumësi interesash të elitës politiko-ekonomike shqiptare. Një agresion i jashtëzakonshëm mediatik i mbyti zërat e arsyeshëm – duke përdorur çdo mënyrë dhe mjet. Dhe është ironike, sepse të gjithë e dinë se ky nuk është as interesi i demokratëve, as i shqiptarëve, por askush nuk ndjenë keqardhjen më të vogël.
Lufta civile brenda opozitës shqiptare ka sjellë një realitet të ri politik tepër interesant – në Shqipëri ka një popull opozitar të papërfaqësuar politikisht. Ata nuk e votojnë Edi Ramën, nuk e votojnë Sali Berishën, nuk e votojnë Ilir Metën, por do ta votonin me të dyja duart një parti politike euro-atlantike, që për fat të keq akoma nuk ekziston. Partia Demokratike zyrtare akoma nuk është çliruar nga frika e Berishës.
Të flasësh për “bashkim” kur Berisha të bombardon me top, më së paku është miopi politike. Shqiptarët kanë nevojë uluritëse për një opozitë të çliruar nga hipotekat e së kaluarës, pa mëkate korrupsioni, të pakontraktuar nga oligarkia ose krimi i organizuar. Në rrethanat aktuale nuk ka shanse që opozita (përfshirë edhe Berishën dhe Metën) të fitojë zgjedhje në Shqipëri. Objektivi duhet të jetë ringritja e Partisë Demokratike, duke filluar që nga këto zgjedhje lokale. Do të jetë e pafalshme që Partia Demokratike të mos përfaqësohet në zgjedhje me kandidatët e saj në 61 bashkitë e vendit. Vetëm kështu do të mbahet gjallë shpresa se ka një alternativë tjetër – përveç Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës./