Ajo është shtëpia më e famshme në Shqipëri dhe padyshim që ngjarjet e krijuara në shtëpinë e Big Brother Vip Albania janë në qendër të vëmendjes. Banorët e BBV2 po përfliten kudo në rrjet, dhe janë kthyer në protagonistët e përditshmërisë sonë, duke transmetuar shumë emocione të forta teksa rrëfejnë historitë e tyre apo edhe gjatë përditshmërisë, konflikteve dhe raporteve me njëri-tjetrin.
Spektakli i sotëm ka nisur me shumë surpriza dhe lajme të papritura për të gjithë. Vetëm pak më parë Arbana dha njoftimin që i ka habitur të gjithë. Vëllai i Madh ka marrë vendimin që sonte do të bëhen pjesë e shtëpisë së “BBV2” 4 nga ish-banorët e këtij edicioni të dytë dhe vetëm pak më parë është hapur televotimi ku publiku mund të votojë 4 të preferuarit e tyre. Ish-banorët janë njoftuar më përpara për këtë vendim dhe shumë prej tyre kanë pranuar ndërsa banorët brenda shtëpisë ende nuk kanë asnjë informacion për këtë. Rregullat kryesorë për 4 banorët që do të futen sonte në shtëpi janë:
1. Nëse njëri prej tyre do të arrijë të jetë fituesi, çmimi për ta do të jetë 50 mijë euro.
2. Nëse njëri prej tyre do të arrijë të jetë një prej finalistëve do të fitojnë 10 mijë euro.
3. Nëse njëri prej tyre do të japë informacione nga jashtë do të përjashtohet menjëherë pa asnjë paralajmërim.
Arbana ka dhënë një lajm të papritur për Oltën, e cila ka marrë vendimin për tu larguar nga shtëpia e “BBV2”. Kjo për shkak se tani për të është bërë e padurueshme qëndrimi larg djalit të saj.Pasi ka patur mundësinë të flasë edhe të tregojë arsyet dhe se si është ndjerë gjithë këtë kohë dhe pas insistimit të banorëve për qëndrimin e saj madje edhe insistimin e Luizit, Olta nuk e ka ndryshuar vendimin dhe është larguar nga shtëpia. Para se të largohej Olta ka patur edhe një surprizë dhe ka takuar në dhomën e surprizave pas kaq shumë ditësh djalin dhe qëndrimi i tij i ftohtë ndaj saj e ka bërë akoma dhe më shumë Oltën që të largohet përfundimisht nga shtëpia.