Pronari i një servisi ra pre e grabitësve mbrëmjen e kësaj të shtune në Kamzës. Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja ndodhi rreth orës 20:45, në rrugën “Demokracia”. Dy persona ende të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës i morën pronarit të servisit orën e dorës dhe një varëse.
“Më datë 01.04.2023, rreth orës 20:45, në rrugën “Demokracia”, Paskuqan 2, në një servis, dy persona ende të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur orën e dorës dhe varësen, pronarit të servisit, shtetasit Xh. Sh. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.