32 vite më parë në Shkodër, në 2 prill 1991, u vranë nga diktatura katër Pishtarë të Demokracisë.
Themeluesi, anëtari i kryesisë së PD, student demokrat aktiv që nga takimi me Ramiz Alinë e deri tek organizimi i PD në Shkodër, Arben Broci; të rinjtë veprimtarë të PD: Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u vranë pabesisht, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë diktaturës se koha e saj kishte përfunduar njëherë e mirë dhe shqiptarët kishin zgjedhur Lirinë dhe Demokracinë!
Në 2 prill 1991 u plagosën gjithashtu 87 qytetarë, të cilët protestonin kundër grabitjes së votës së lirë dhe dhunimit të zgjedhjeve të 31 marsit nga partia- shtet.
Heronjtë e 2 prillit nuk janë vetëm heronjtë e Shkodrës, djepit të qëndresës antikomuniste dhe demokracisë! Ata janë heronjtë e gjithë Shqipërisë!
Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e Arben Brocit dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit demokratik, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar!
32 vite më pas, emrat e 4 martirëve të 2 prillit, thërrasin në ndërgjegjen tonë për të na thënë se e keqja ende nuk është mposhtur!
Përulem përpara veprës e kujtimit të përjetshëm të martirëve të 2 prillit!