Normat e interesit në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm prej vitit të kaluar, por Banka e Shqipërisë nuk po e reflekton në normën e remunerimit të rezervës së detyruar në valutë të huaj. Bankat kërkojnë që t’u paguhet një normë interesi për fondet në valutë që janë të detyruara të mbajnë të bllokuar në bankë qendrore dhe që tashmë mund të investohen me fitim.
Ersuin Shehu
Bankat Qendrore nisën vitin e kaluar një cikël të rritjes së shpejtë të normave bazë të interesit, në përpjekje për të luftuar valën inflacioniste që përfshiu ekonominë.
Këto lëvizje sollën efekte të rëndësishme edhe në tregjet bankare dhe financiare. Ndër të tjera, paralelisht me rritjen e normës së instrumenteve bazë të financimit të sektorit bankar me likuiditet, bankat qendrore rritën edhe normat e interesit për fondet e mbajtura nga bankat tregtare në llogaritë e tyre, qoftë në formën e rezervës së detyruar apo të tepricave. Këto ndryshime kanë prekur edhe sektorin bankar shqiptar.
Por, bankat ankohen se, ndërkohë që për Lekun, rritja e normave të interesit është reflektuar edhe në normat e interesit të rezervës së detyruar dhe të depozitave ditore, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për Euron dhe Dollarin Amerikan.
Për rezervën e detyruar në Euro, Banka e Shqipërisë përdor si instrument referues depozitën ditore të Bankës Qendrore Europiane. Por, megjithatë, Banka e Shqipërisë ka vendosur një tavan të sipërm në nivelin zero dhe kjo bën që rritjet e normës së interesit të depozitës ditore të BQE-së të mos përcillen në interesat e remunerimit për rezervën e detyruar në Euro të bankave tregtare shqiptare. E njëjta gjë po ndodh edhe për rezervat në Dollar Amerikan.
BSH, “bujare” me Lekun, por “dorështrënguar” me Euron
Një vit më parë, në mars 2022, Banka e Shqipërisë nisi ciklin e rritjes së normës bazë të interesit. Rritja e normës bazë është reflektuar e gjitha edhe në normën e remunerimit të rezervës së detyruar në lekë.
Rezerva e detyruar konsiston në një përqindje të caktuar të detyrimeve të bankave tregtare në secilën prej monedhave përkatëse, që duhen mbajtur të papërdorura në një llogari pranë Bankës së Shqipërisë.
Aktualisht, bankat përfitojnë një normë interesi prej 2.75% si remunerim për rezervën e detyruar në monedhën vendase. Ndërkohë, për depozitat ditore në lekë, norma e interesit është 1 pikë përqindje më e ulët se norma bazë e interesit, pra, aktualisht në nivelin 1.75%.
Lidhur me rezervën e detyruar në Euro, Banka e Shqipërisë po adopton një politikë të ndryshme. Deri në verën e kaluar, rezerva e detyruar në Euro kishte një normë remunerimi negative, duke reflektuar normat e depozitës ditore të BQE-së, në nivelin -0.5%.
Kjo nënkupton se bankat duhet të paguanin për shumën e rezervës së detyruar në monedhën europiane. Në muajin korrik, Banka e Shqipërisë vendosi që norma e remunerimit të bankave për rezervën e detyruar në Euro të rritej në një nivel të barabartë me normën e interesit të depozitave të BQE-së, por jo më shumë se zero.
Ndërsa norma e remunerimit të tepricës (shumën e mbajtur që tejkalon vlerën e rezervës së detyruar) në Euro është 25 pikë bazë (0.25%) më e ulët se norma e interesit të depozitës së përcaktuar nga BQE-ja, por jo më e madhe se 0. Banka e Shqipërisë nuk mban llogari fizike në valuta të huaja për bankat tregtare.
Fondet e rezervës së detyruar në valutë të huaj mbahen pranë llogarive të Bankës së Shqipërisë në Bankën Qendrore Europiane dhe kjo është një nga arsyet pse norma e remunerimit të rezervës në Euro është e lidhur me normën e interesit të depozitave ditore të BQE-së.
Ndërkohë, edhe rezerva e detyruar në Dollar Amerikan ka një normë remunerimi fikse, aktualisht në nivelin 0. Për të kompensuar pjesërisht për mosremunerimin e rezervës në valutë të huaj, megjithatë, Banka e Shqipërisë e ka çuar remunerimin e rezervës në Lek në 100% të normës bazë të interesit, nga 70% që kishte qenë më parë.
Bankat: BSH siguron të ardhura nga investimi i rezervës, të na japë një pjesë
Ekspertë nga sektori bankar shprehen për “Monitor” se në kushtet kur normat bazë të interesit për Euron dhe Dollarin Amerikan janë rritur, përkatësisht në nivelin 3.5% për EUR dhe 4.5-4.75% në USD, Banka e Shqipërisë duhet të marrë në konsideratë remunerimin e rezervës së detyruar që bankat mbajnë pranë saj.
Për këtë arsye, ata mendojnë se do të ishte e drejtë që Banka e Shqipërisë të aplikonte një normë remunerimi, që të ketë si referencë nivelin e normës bazë të interesit të EUR dhe USD, minus një prim të arsyeshëm, duke iu referuar praktikave të bankave të tjera qendrore.
Sipas bankierëve, rezerva e detyruar e sistemit bankar në monedhë të huaj është aktualisht pranë nivelit të 900 milionë eurove. Kthimi nga investimi i kësaj rezerve, qoftë edhe në afat të shkurtër (depozita javore apo ditore) i këtyre fondeve, në kushtet aktuale të tregut, gjeneron një sasi të konsiderueshme të ardhurash nga interesi.
Për këtë arsye, bankat vlerësojnë se Banka e Shqipërisë duhet të remunerojë rezervat në EUR dhe USD, duke u alokuar bankave një pjesë të të ardhurave nga investimi i rezervës së detyruar në valutë.
Sipas tyre, kjo do të ndikonte edhe më pozitivisht në elasticitetin e bankave për të transmetuar më mirë ecurinë në rritje të normave të interesit në kahun e depozitave të klientëve.
Gjithashtu, sipas tyre, kjo do të përmirësonte edhe treguesit e përfitueshmërisë së bankave, duke ndikuar pozitivisht kapitalizimin dhe duke i bërë më solide.
Mosremunerimi i rezervës së detyruar për valutat e huaja, në fakt, shkakton kosto të konsiderueshme për bankat, për shkak të të ardhurave të munguara nga fondet që nuk mund të investohen, por duhet të mbahen të bllokuara pranë Bankës së Shqipërisë. Treguesi benchmark (referues) për Euron, EURIBORI, po rritet me ritme të larta, duke ndjekur sinjalet e politikës monetare të Bankës Qendrore Europiane.
Në muajin shkurt, EURIBORI 12-mujor shënoi një nivel mesatar prej 3.73%, ndërsa në mesin e muajit mars, arriti në kufijtë e 4%.
Rritje edhe më të fortë ka shënuar treguesi benchmark i Dollarit Amerikan, LIBOR. Në pjesën e parë të këtij viti, LIBORI 12-mujor ishte në kufijtë e 6%, ndërsa në mesin e muajit mars pësoi rënie deri në 5.2%, për shkak të efektit që shkaktoi në treg falimentimi i disa bankave në SHBA.
Por, është e qartë se hendeku mes normës së remunerimit 0 të Bankës së Shqipërisë dhe normave të interesit të tregut është shumë i madh.
Për shembull, në rast se shuma e rezervës së detyruar prej 900 milionë eurosh (duke e supozuar të gjithën në euro në mungesë të strukturës së saktë sipas valutës) do të ishte investuar e gjitha me normën mesatare të EURIBORIT 12-mujor, vetëm për dy muajt e parë të vitit do të kishte sjellë një të ardhur nga interesat prej rreth 5.3 milionë eurosh.
BSH: Masa ka kosto për bankat, por qëllimi është deeuroizimi
Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, Banka e Shqipërisë shprehet se e remuneron në nivelin 0% rezervën e detyruar (RD) në euro që prej datës 6 korrik 2022, periudhë prej kur Banka Qendrore Europiane vendosi rritjen e normës së depozitës në 0.0% nga -0.5%, dhe në nivele pozitive më tej.
Sipas Bankës së Shqipërisë, remunerimi i saj me zero është në përputhje dhe në funksion të procesit të deuroizimit, ku synohet dekurajimi i rritjes së aktivitetit në valutë të bankave tregtare dhe zgjerimi i përdorimit të monedhës vendase.
Kjo masë, është në vijim edhe të masës së mëparshme, ku Banka e Shqipërisë kërkoi të rritej përqindja e mbajtjes së rezervës së detyruar në valutë në 12.5% dhe 20%, në varësi të peshës së detyrimeve në valutë kundrejt totalit të detyrimeve të përfshira në bazën e rezervës së detyruar, nga 10% që ishte, dhe të ulej ajo në Lek në 7.5% dhe 5%, në varësi të afatit të maturimit të detyrimeve, nga përqindja uniformë prej 10%.
“Ky proces synon që të kihet një sistem bankar sa më i qëndrueshëm në afatgjatë dhe një transmetim sa më i shpejtë i politikës monetare në ekonomi.
Pavarësisht se remunerimi në nivelin 0% i rezervës së detyruar në valutë mund të konsiderohet si kosto për bankat tregtare, ato duhet të përshtaten ndaj incentivave që krijon Banka Qendrore (paguan 100% të normës bazë si interes për mbajtjen e rezervës së detyruar në lekë, ndërsa 0% interes për mbajtjen e rezervës së detyruar në valutë) për të siguruar një sistem bankar të qëndrueshëm në kohë”, thuhet në prononcimin e Bankës së Shqipërisë për “Monitor”.
Pesha e depozitave në valutë po rritet
Në vitet e fundit, depozitat bankare në Euro po rriten me ritme të shpejta dhe kjo ka bërë që sektori bankar të jetë mbilikuid në monedhën europiane.
Sipas analizës periodike të Bankës së Shqipërisë, që monitoron ecurinë e treguesve që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, rritja e euroizimit preku në masën më të madhe depozitat, por njëkohësisht edhe kredinë.
Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2022, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave shënoi nivelin 55%, 1.7 pikë përqindje më shumë se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 3.2 pikë përqindje më i lartë se një vit më parë.
Sipas të dhënave më të reja, në fund të muajit janar, totali i depozitave në Euro të sektorit bankar arriti në 6.38 miliardë euro, në rritje me 16.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Depozitat në Euro kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e depozitave bankare në dy vitet e fundit.
Edhe depozitat në Dollar Amerikan paraqiten në rritje dhe në fund të janarit të këtij viti kishin vlerën e 718 milionë dollarëve, në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Strategjia e deeuroizimit rriti shkallën e rezervës në valutë
Ndër masat kryesore që Banka e Shqipërisë mori në kuadër të strategjisë së deeuroizimit, ishte edhe aplikimi i shkallëve të diferencuara për rezervën e detyruar të bankave, sipas valutave të ndryshme.
Në vitin 2017, u vendos që shkalla e rezervës së detyruar në valuta të huaja të ishte më e lartë krahasuar me atë të monedhës vendase.
Qëllimi kryesor ishte rritja e kostos së ndërmjetësimit në valutë të huaj për bankat shqiptare. Konkretisht, norma e rezervës për valutat e huaja (EUR dhe USD) është 12.5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në valutë, kur këto zënë nën 50% të totalit dhe 20% (nga 10% që ishte më parë), për pjesën e detyrimeve në valutë mbi 50% të totalit.
Paralelisht, rezerva u ul në 7.5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në Lek, me afat maturimi jo më të gjatë se 12 muaj dhe 5% (nga 10% që ishte më parë) për detyrimet në Lek, me afat fillestar më të gjatë se 12 muaj deri në 2 vjet.
Shpërndarja e treguesit të peshës së depozitave në valutë sipas bankave luhatet në intervalin midis 49% deri në 62%. Rezulton se 9 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%. Kjo i bën rrjedhimisht nëntë banka subjekt të aplikimit të fashës së dytë (20%), për pjesën e depozitave në valutë që tejkalojnë kufirin e 50% të totalit.
Masat e Bankës së Shqipërisë dhe rritja e depozitave në valutë në vitet e fundit kanë sjellë, rrjedhimisht, edhe rritje të ndjeshme në vlerën e rezervës së detyruar në valutë të huaj.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në janar të këtij viti, vlera e kësaj rezerve arriti në shumën e barasvlefshme me 101.4 miliardë lekë, në rritje me 12.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Deeuroizimi, Banka e Shqipërisë e vetme në “betejë”
Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nënshkruan një memorandum bashkëpunimi që kishte si qëllim rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonomi.
Por, në fakt, vetëm Banka e Shqipërisë nisi një strategji të mirëfilltë dhe konkrete me masa për të ulur shkallën e euroizimit të ekonomisë, bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Por, analizat e deritanishme kanë treguar se rezultatet e strategjisë së deeuroizimit të sektorit bankar kanë qenë modeste, ndërsa pesha e depozitave dhe kredive në valutë po rritet.
Banka e Shqipërisë vlerëson se, në situata kur kursi i këmbimit është i qëndrueshëm dhe luhatshmëria e tij është e ulët, agjentët ekonomikë kanë tendencën të rrisin volumin dhe frekuencën e transaksioneve të tyre financiare në valutë.
Kjo shoqërohet, në përgjithësi, me rritje të shkallës së përdorimit të valutës dhe ulje të vigjilencës ndaj rreziqeve që shoqërojnë ekspozimin e tyre ndaj saj.
Si rezultat, lëvizjet e papritura në kursin e këmbimit mund të nxisin transaksione të sforcuara në tregje nga ana e agjentëve, të cilat mund të rrisin pasigurinë për zhvillimet e përgjithshme ekonomike.
Ndaj është e rëndësishme që në situata të zhvillimeve normale, të tërhiqet vëmendja e agjentëve ekonomikë për nevojën e kontrollit mbi nivelin dhe pozicionin e tyre në valutë, duke theksuar që kursi i këmbimit të Lekut është i lirë dhe lëvizjet e tij në të dy kahet janë të mundshme.
Banka e Shqipërisë ka përsëritur disa herë thirrjen që përpjekjet për të rritur përdorimin e monedhës vendase në ekonomi të mos kufizohen vetëm te Banka e Shqipërisë, por të ndërmerren edhe nga palë të tjera të interesuara dhe sidomos nga qeveria shqiptare.
Ky mesazh nënkupton qartë se përpjekjet për ta luftuar euroizimin vetëm në sektorin financiar nuk mund të jenë efikase, në kushtet kur euroizimi i ekonomisë reale është i lartë dhe perceptohet madje në rritje.
Por, deri tani qeveria shqiptare duket se nuk “dëgjon nga ai vesh”. Ndryshe nga shumë ekonomi të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, Shqipëria nuk parashikon kufizime ligjore në përdorimin e valutës së huaj në transaksionet e brendshme ekonomike.
Kjo i ka hapur rrugë një përdorimi të gjerë të euros, jo vetëm në shitjen e aseteve të qëndrueshme, por shpeshherë edhe në tregtinë me pakicë të mallrave apo shërbimeve.
Në kushtet kur qeveria duket se nuk ka vullnet politik për ta luftuar euroizimin e lartë të ekonomisë, përpjekja e izoluar e Bankës së Shqipërisë do të jetë e vështirë të prodhojë rezultate të rëndësishme. Deri tani, masat e deeuroizimit kanë krijuar kosto shtesë për bankat (që në fund u përcillen klientëve), por nuk kanë sjellë ulje të nivelit të euroizimit të sektorit.